Manja: Avokati i Popullit, pasqyrë ku ne shohim raportin me qytetarët

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh sot se Avokati i Popullit është një ndër institucionet më fisnike që ka lindur nga rendi kushtetues pas viteve ‘90.
Në Konferencën e Nivelit të Lartë, “Strukturat Kombëtare dhe Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut: Praktikat e Mira dhe Përvojat e Fituara”, e organizuar sot me rastin e 25-vjetorit të krijimit të institucionit të Avokatit të Popullit, ministri Manja tha se “ky përvjetor nuk është thjesht një datë simbolike në kalendar”.
Manja tha se ky “është një moment reflektimi i thellë mbi rrugëtimin e këtij institucioni, një histori e ndërtuar mbi dinjitetin njerëzor, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe përpjekjen tonë të përbashkët për një shoqëri më të drejtë. Është një rast për të kujtuar, për të vlerësuar, por edhe për të projektuar më tej përgjegjësitë që na presin”.
“Avokati i Popullit është një ndër institucionet më fisnike që ka lindur nga rendi ynë kushtetues pas viteve ‘90. Një institucion që është ngritur jo mbi logjikën e pushtetit, por mbi idealin e drejtësisë. Gjatë 25 viteve të ekzistencës së tij, ky institucion ka qenë zëri i atyre që nuk dëgjohen, i të margjinalizuarve, i të pambrojturve, i të harruarve”, tha Manja.
Ministri i Drejtësisë pohoi se ky institucion ka folur me guxim kur të tjerët kanë heshtur dhe ka mbrojtur me integritet, kur të tjerët kanë shmangur përgjegjësinë. “Në çdo rast ka qenë një zë i ndërgjegjes institucionale, një korrektor i domosdoshëm i pushtetit, dhe një mbrojtës i palodhur i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve”, pohoi ai.
“Si përfaqësues i qeverisë shqiptare dhe si Ministër Drejtësie, dua të jem shumë i qartë për qëndrimin tonë në raport me Avokatin e Popullit: Ne nuk e kemi parë dhe as e kemi konsideruar Avokatin e Popullit si një kundërshtar institucional, por si një partner të domosdoshëm për ndërtimin e një shteti funksional të së drejtës dhe të rendit tonë demokratik. Për ne, Avokati i Popullit është një pasqyrë ku ne shohim raportin tonë me qytetarin dhe rrugën që duhet të ndjekim për të përmirësuar veprimtarinë tonë institucionale”, cilësoi Manja.
Ministri i Drejtësisë u ndal gjatë fjalës së tij edhe te rekomandimet e Avokatit të Popullit, që sipas Manjës nuk shihen si letra për arkivë, por si sinjale alarmi, si një udhërrëfyes për një administratë më të ndjeshme dhe më llogaridhënëse.
“Respektimi i tyre nuk është vetëm një detyrim formal, është një akt përgjegjësie ndaj qytetarit, ndaj demokracisë dhe ndaj vetë shtetit që përfaqësojmë. Në mënyrë të veçantë dua të nënvizoj bashkëpunimin e ngushtë dhe të sinqertë që kemi pasur dhe kemi me Institucionin e Avokatit të Popullit në fushën e sistemit penitenciar. Ky ka qenë një prej sektorëve ku kontributi i këtij institucioni ka qenë jetik. Së bashku kemi hedhur hapa të rëndësishëm drejt një sistemi më njerëzor, më të përgjegjshëm dhe më afër standardeve evropiane”, shtoi ai.
Manja u ndal edhe në kontekstin e integrimit evropian, ku sipas tij roli i Avokatit të Popullit është edhe më i rëndësishëm.
“Vlerësimi i funksionimit të këtij institucioni është pjesë e pandashme e kapitujve themelorë të negociatave – Kapitulli 23 dhe 24 – Drejtësia, Liritë dhe të Drejtat Themelore. Por më shumë se një kërkesë teknike, ky rol është një angazhim moral: për një Shqipëri ku të drejtat nuk janë privilegj, por standard; ku ligji nuk është instrument pushteti, por mjet drejtësie. Në këtë drejtim, dua të theksoj me vlerësim të veçantë edhe rolin aktiv të Institucionit të Avokatit të Popullit në rrjetet dhe organizatat evropiane e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha ai.
Ministri Manja shti se “Avokati ynë i Popullit është tashmë pjesë e plotë e këtij komuniteti ndërkombëtar, i integruar në mekanizmat homologë, në platformat rajonale dhe në rrjetet e bashkëpunimit që mbrojnë dhe avancojnë të drejtat e njeriut kudo. Kjo përfshirje e bën zërin e Shqipërisë të dëgjohet dhe njëkohësisht sjell përvojë të vyer në vendin tonë, duke forcuar standardet dhe ndërkombëtarizuar betejën për dinjitetin njerëzor”.
/e.i//a.f//r.e/