E Martë, 3 Nëntor 2026

Mara: 29 masa sigurie në Shqipëri, aktivitet kriminal deri në Amerikën Latine

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Prokurori i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Vladimir Mara foli sot gjatë një konference për shtyp mbi detajet e operacionit ndërkombëtarë “Ura” që çoi në goditjen e një grupi të rrezikshëm kriminal, që operonte mes Italisë dhe Shqipërisë, teksa trafikonte drogë nga Amerika Latine.

Mara tha se në Republikën e Shqipërisë janë vendosur 29 masa sigurie, në Itali 22 masa sigurie.

“Nga antimafia dhe prokuroria e Barit janë marrë të dhëna nga SKY ECC që kanë paraqitur një panoramë të qartë të këtij grupi kriminal dhe kemi arritur të ndërtojmë shtrirjen e këtij aktiviteti kriminal që niste në Puglia, në disa vende të BE-së, Belgjikë, Hollandë dhe në Amerikën e Jugut. E reja në këtë hetim është se, krahas të dhënave nga SKY ECC, janë përdorur edhe të dhëna nga platformat. Janë sekuestruar 30 episode të trafikut në Itali dhe 10 episode në Shqipëri”.

“Është dokumentuar gjithë cikli nga vendet e origjinës dhe, falë analizës së drejtorisë së DIA-s, është arritur të konkludohet i gjithë ky aktivitet kriminal me një vlerë afro 5 milionë euro. Gjej momentin t’i falënderoj autoritetet italiane dhe ne, falë këtij bashkëpunimi, patëm këtë rezultat”, tha Mara.

“Gjithsej janë ekzekutuar 42 masa sigurie nga 52 masat e sigurisë së lëshuara në total. Pavarësisht se ne e kemi cilësuar një grup të strukturuar kriminal, në vetvete ky grup ka pasur tre nënndarje të tjera, të cilët kishin aktivitete kriminale nga vendet e Amerikës Latine, në Evropë dhe në Shqipëri. Në total janë 51 urdhër arresti, dhe 1 urdhër ndalimi”, tha Mara.

“Kemi pasur disa episode të abuzimit të funksionarëve shtetëror, për këtë duam të bëjmë një hetim më të thelluar. Kemi pasur dy punonjës të policisë së Shtetit, njëri prej tyre në pozicion të rëndësishëm. Në njërin rast kemi pasur bashkëpunim me strukturën kriminale, dhe në rastin tjetër me portin e Durrësit”, tha Mara.

Ai sqaroi se “një prej punonjësve të policisë dyshohet se ishte pjesë e grupit të strukturuar kriminal, këto janë dyshime të arsyeshme, pra që ai ka patur veprime aktive. Punonjësi tjetër ka të bëjë me një episod të korrupsionit. Sa i takon avokatit, dyshohet si i përfshirë në katër episode të ndikimit të paligjshëm tek zyrtarë të ndryshëm, duke përfshirë dhe ato të drejtësisë”.

Mara tha se “Për sa i takon urdhër ndalimit, një rol të rëndësishëm ka pasur dhe zyra e DEA-s amerikane, që ishte në zyrën tonë që prej nisjes së këtij hetimi”, pohoi prokurori Mara.

Prokurori i Posaçëm shtoi se “gjatë operacionit janë sekuestruar tre restorante në Durrës, një bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Gjatë këtij hetimi më parë janë sekuestruar 3 milionë euro në cash, të cilat edhe këto i janë nënshtruar këtij hetimi penal”, tha Mara.

Mara tha se janë arrestuar dhe krerë të grupit të strukturuar kriminal dhe i gjithë hetimi është kryer nga viti 2020 deri në vitin 2025.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›