E Hënë, 2 Nëntor 2026

Maratona e Tiranës, mbi 5 mijë garues nga vende të ndryshme të botës

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Tirana mirëpriti sot mbi pesë mijë vrapues nga 50 vende të ndryshme të botës.

“Maratona e Tiranës”, është eventi sporti që organizohet për të nëntin vit radhazi, duke u kthyer në një traditë të përvitshme sportive që bën bashkë mijëra garues dhe vrapues shqiptarë dhe të kombësive të huaja që masin forcat në distancat 42 km, 21 km dhe 10 km.

Maratona nisi sot në orën 08:00, ndërsa ky event sportiv ka marrë një dimension të veçantë këtë vit, pasi zhvillohet në kohën kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”.

Në “Maratonën e Tiranës” janë katër kategori pjesëmarrëse, ndërsa do të ndahen 24 çmime. Çmimi fitues për 42 km është pesë mijë euro.

Taulant Stërmasi, ish-kreu i Atletikës shqiptare dhe një nga organizatorët e “Maratonës së Tiranës” u shpreh në një intervistë televizive, se pjesëmarrësi më i moshuar në këtë maratonë ka moshën 84-vjeçare, që është një frymëzim për të gjithë.

“Çdo vit e më tepër jemi më të mëdhenj, ka pjesëmarrës nga gjithë bota. Ka një organizim të mirë nga bashkia e Tiranës. Ka pesë mijë persona dhe kishte disa persona që nuk u ndjenë mirë gjatë garës. Kemi tetë ambulanca në dispozicion. Një sportist nuk u ndje mirë në finish, mori ndihmën e parë dhe tani është mirë, me bashkëshorten. Edhe Ramush Haradinaj është pjesë e garës, pasi kjo maratonë i bashkon të gjithë, nuk bën dallime nga politika dhe njerëzit e thjeshtë”, tha Stërmasi.

Itinerari i maratonës përfshin sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Papa Gjon Pali II”, segmentin pranë RTSH-së, urën e Rrugës së Elbasanit, godinën e Parlamentit, sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Zogu i Parë” dhe “Zogu i Ri”, si dhe rrugët “Durrësit”, “Kavajës”, “Myslym Shyri”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe rrugët “Ibrahim Rugova” e “Lekë Dukagjini”.

“Maratona e Tiranës“ është një manifestim për një jetesë të shëndetshme, por edhe një mundësi për t’u marrë me sport.

Maratona e Tiranës 2025, Fotot: Flor Abazi e Andrin Hoxha 1 nga 20

/e.i//r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›