E Diel, 1 Nëntor 2026

Marco Rubio udhëton në Izrael, familjet e pengjeve: Netanyahu është pengesa e vetme për kthimin e tyre në shtëpi

Familjet e pengjeve izraelite që mbahen ende nga Hamasi kanë thënë se kryeministri Benjamin Netanyahu është “pengesa e vetme” për kthimin e pengjeve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura: Bring Them Home Now shkroi në mediat sociale se sulmi i Izraelit ndaj Katarit javën e kaluar tregon se “sa herë që afrohet një marrëveshje, Netanyahu e saboton atë”.

Komentet e grupit vijnë pasi Izraeli kreu një sulm ndaj udhëheqësve të lartë të Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku Hamasi tha se vrau pesë anëtarë të tij dhe një zyrtar të sigurisë së Katarit.

Të shtunën, Netanyahu tha se vrasja e udhëheqësve të Hamasit në Katar “do të eliminonte pengesën kryesore” për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës.

Ai akuzoi gjithashtu Hamasin për bllokimin e të gjitha përpjekjeve për armëpushim me qëllim zvarritjen e luftës në Gaza.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, udhëtoi për në Izrael të shtunën dhe do të takohet me Netanyahun, ndërsa ndërkombëtarët dënojnë sulmin e Izraelit.

“Operacioni në Katar dëshmoi pa asnjë dyshim se ekziston një pengesë për kthimin e 48 pengjeve dhe përfundimin e luftës: Kryeministri Netanyahu”, thanë familjet e pengjeve.

“Ka ardhur koha t’u japim fund justifikimeve për të blerë kohë në mënyrë që ai të mund të qëndrojë në pushtet.”

Grupi shtoi se “zvarritja” e Netanyahut kishte kushtuar “jetën e 42 pengjeve dhe kërcënonte jetën e pengjeve të tjera që mezi po mbijetojnë”.

Para largimit të tij, Rubio tha se Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk ishte i kënaqur me sulmin ndaj Katarit, por theksoi se marrëdhënia SHBA-Izrael ishte “shumë e fortë”.

“Sigurisht që nuk jemi të lumtur për këtë, presidenti nuk ishte i lumtur për këtë. Tani duhet të ecim përpara dhe të kuptojmë se çfarë do të ndodhë më pas”, tha Rubio.

Ai shtoi se përparësia e Trump mbetet kthimi i të gjithë pengjeve dhe përfundimi i luftës në Gaza./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›