E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump: Gati për sanksione të mëdha kundër Moskës nëse NATO ndalon blerjen e naftës ruse

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se është gati të vendosë “sanksione të mëdha” ndaj Moskës nëse anëtarët e NATO-s ndalojnë blerjen e naftës ruse.

Në një letër drejtuar anëtarëve të aleancës, të cilën e publikoi  në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi: “Jam gati të vendos sanksione të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha vendet e NATO-s të kenë rënë dakord dhe të kenë filluar të bëjnë të njëjtën gjë, dhe kur të gjitha vendet e NATO-s të ndalojnë së bleri naftë nga Rusia.”

Trump tha se beson që ndërprerja e blerjeve të naftës ruse, e kombinuar me vendosjen e tarifave ndaj Kinës prej 50 deri në 100 përqind, nga anëtarët e NATO-s dhe SHBA-të, do të ndihmonte në përfundimin e asaj që ai e quajti një “luftë qesharake”.

Trump, i cili premtoi në fushatën e tij zgjedhore se do t’i jepte fund luftës  brenda një dite, e përfundoi deklaratën e tij të shtunën duke thënë se nëse NATO do të ndiqte planin e tij, lufta do të “mbaronte shpejt”.

Vetëm këtë javë, disa udhëheqës evropianë ishin të bindur se e kishin bindur Trumpin se Presidenti rus Vladimir Putin nuk është i interesuar të përfundojë luftën dhe  duhet të detyrohet të ulet në tryezën e negociatave, thanë zyrtarë dhe diplomatë për Politico.

Në një mori vizitash diplomatike, udhëheqësit diskutuan kufizime të reja financiare dhe plane për të ndërprerë rrjedhën e energjisë ruse. Hungaria dhe Sllovakia, në veçanti, mbeten thellësisht të varura nga nafta dhe gazi rus./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›