Balla: Strategji antimashtrim për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh sot gjatë seancës plenare në Parlament se qeveria Rama ka një fokus të veçantë në mbrojtjen e interesave financiare dhe rritjen e efikasitetit sa i përket integritetit të menaxhimit financiar.
I pyetur nga deputetja e Partia Demokratike, Greta Bardeli lidhur me strukturën e “Shërbimit Koordinues Kundër Mashtrimit (AFCOS) – OLAF)”, që është ngritur pranë ministrisë së Financave, Balla tha se bëhet fjalë për ngritjen e një sistemi menaxhimi sa i përket parregullsive, por nuk bëhet fjalë vetëm për evidentimin e tyre, por edhe për rikuperimin e fondeve të paguara në mënyrë të padrejtë, si edhe ndërmarrjen e procedurave ligjore, përfshirë edhe përgjegjësitë penale të cilat hetohen nga institucionet e tjera të pavarura të drejtësisë, si Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
“Në ministrinë e Financave është ngritur zyra e koordinimit kundër mashtrimit, quhet Afcos. Është një si një pikë kontakti me “Olafin”, zyrës evropiane antimashtrim për të siguruar një bashkëkoordinim institucional dhe për të rritur efektivitetin në trajtimin e parregullsive. Kemi një memorandum bashkëpunimi me “Afcos” për të trajtuar raste të dyshuara për mashtrim apo të parregullsive për zbatimin e IPA I, IPA II dhe IPA III në funksion të mbrojtjes së interesave financiare të BE-së”, tha Balla.
Sipas Ballës, në të gjitha këto projekte shteti është bashkëfinancues në një përqindje të caktuar që shkon te 1/3. “Përkujdesja jonë është e njëjtë për pjesën si bashkëfinacues nga buxheti i shtetit. Duke vlerësuar rekomandimet e Komisionit Evropian, por edhe të Olafit kemi funksionalizuar edhe përdorimin e një sistemi elektronik për menaxhimin e parregullsive dhe për raportimin ne kohë reale të çdo rasti të identifikuar”, pohoi Balla.
“Deri në prill të këtij vit,i numri total i parregullsive të raportuara nga strukturat e IPA dhe IPARD në regjistër janë diku te 200 raste në një vlerë 14.4 milionë lekë, nga të cilat 145 raste i përkasin IPARD II dhe 55 raste i përkasin IPA II. Sa i përket IPARD-it, në 67 raste prej tyre janë rikuperuar 1.35, 60 janë në proces rikuperimi, janë 10.21 milionë lekë dhe gjashtë raste nuk kanë pasur impakt financiar”, tha ai.
Ministri Balla nënvizoi faktin se programi IPA ka 55 raste rikuperimi me një vlerë 2.18 milionë lekë dhe dy raste në proces gjyqësor në pritje të verdiktit të gjykatës.
Balla tha se “me qëllim mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, qeveria shqiptare ka hartuar një strategji antimashtrim, e miratuar kjo në ditën e Evropës në 9 maj 2025””.
/a.f/