E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa “detyrim paraqitje”, Sali Berisha shkon në SPAK, shënimi për Altin Dumanin: Mbron kartelet e drogës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit në SPAK mëngjesin e kësaj të hëne, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, lidhur me dosjen “Partizani”.

Kryetari i Partisë Demokratike akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Pasi doli nga ambientet e SPAK, ashtu si dhe herët e kaluara, Bersha lexoi mesazhin që i la kreut të kësaj Prokurorie, Altin Dumanit.

Berisha: Dedikesa që unë i lashë aty Altin Troplinit është kjo që vijon: Altin Troplini me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore, këto dy të fundit fund e krye qeveritare, dëshmon se pas Ramaduros është de facto përgjegjësi më kryesor, delinkuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri. Kjo, u la në këtë prokurori.

Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen “Partizani” dhe më 30 qershor ishte caktuar të mbahej seanca e parë, e cila dështoi.

Si arsye për shtyrjen e seancës shërbeu mosmarrja dijeni e kreut të partisë demokratike, Sali Berisha, i cili mungoi në seancë dhe u përfaqësua nga avokatët e tij Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj. Brenda gjykatës, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi tha se fletëthirrjen e kishte firmosur ai, por pranoi se nuk e kishte njoftuar ish- kryeministrin.

“Njoftimi për z. Berisha ka ardhur të premten dhe ne shikojmë që në këtë moment shteti bën farsë – politika e kishte njoftimin që para dy javësh, por zgjodhi ta bëjë të premten.Policia ka gënjyer dhe ka sjellë vetëm 3 ditë para. Sipas Kodit të Procedurës, duhet ta sillte 10 ditë para”, tha Malltezi.

I bashkëpandehur me Berishën është dhëndri i i tij, Jamarbër Malltezi  ndaj te cilit pozita ligjore është më e ashpër për shkak të akuzës së pastrimit të parave. Të përfshirë në këtë dosje janë edhe biznesmenët, Fatmir Bektashi, e Xhimi Begeja së bashku me një notere.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha krijoi kushte kur shërbente si kryeministër i vendit që dhëndri i tij të përfitonte nga nxjerrja e akteve nënligjore privatizimin e trojeve shtetërore të ish- klubit sportiv, Partizani. Tashmë mbi truallin e privatizuar, janë ndërtuar 19 pallate./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›