Masa për landfillin e Elbasanit, ministrat Hoxha e Vengu inspektojnë situatën pas zjarrit

Një javë pasi u shua zjarri në landfillin e Elbasanit, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe ai i Brendshëm, Ervin Hoxha, shkuan sërish në fushën e mbetjeve për inspektim.
Ministri Vengu deklaroi se pas analizës së situatës, do të merren masa konkrete për parandalimin e ngjarjeve të tilla, përfshirë instalimin e një sistemi kamerash termike në landfill. Ai la të kuptohet se po shqyrtohet një vendim për të ardhmen e landfillit.
Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha njoftoi se ka nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e zjarrit.
I pyetur nëse është ndjekur protokolli i ndërhyrjes me rigorozitet Hoxha u përgjigj se në kushte të temperaturave të larta është e vështirë të shmanget plotësisht rreziku i zjarrit.
Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, tha se një javë pas përhapjes së zjarrit, qyteti po përballet me një tjetër problematikë, mungesën e një vendi për depozitimin e mbetjeve. Ai tha se përkohësisht, mbetjet po mbahen në ambiente provizore./vizionplus.tv