Mashtrim kompjuterik në call center, shtatë të arrestuar në Tiranë

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Policia e Shtetit bëri të ditur sot se po vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Platforma” për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Recovery” ku është zbuluar një call center në Tiranë, në cilin kryhej mashtrim kompjuterik.
Policia e Shtetit bën me dije se gjatë këtij operacioni është vënë në pranga një nga 3 organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale, teksa po punohet për kapjen e 2 të tjerëve.
“Gjithashtu, në pranga 6 punonjës në këtë subjekt, si dhe në hetim 4 të tjerë. Sekuestrohen pajisje kompjuterike dhe celularë që i shërbenin mashtrimit. Në kuadër të operacionit “Recovery” dhe si rezultat i kontrolleve të kryera në vijim të operacionit ndërkombëtar “Platforma”, shërbimet e Policisë konstatuan se kati i parë i një pallati në rrugën “Janos Hunyadi”, ishte përshtatur si call center”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, nga ndërhyrja në këtë subjekt, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga, punonjësit, shtetasit I. K., 33 vjeç, banues në Farkë, L. V., 22 vjeç, banues në Krujë, E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, M. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, D. R., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u kapën në flagrancë, punonjësit, shtetasit A. P., 40 vjeçe, V. A., 38 vjeçe, K. A., 24 vjeçe dhe S. M., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për të cilët nisi procedim në gjendje të lirë.
“Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan 3 organizatorët e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet këtij call centeri, shtetasit A. Sh., 36 vjeç, banues në Tiranë, A. R., 34 vjeç dhe A. G., 38 vjeç. Shtetasi A. Sh. u kap nga Policia dhe u vu në pranga, në kuadër të operacionit “Recovery”. Ndërkaq, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë”, cilësohet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/r.e/j.p/