Mashtrim me call center, GJKKO dënon me mbi 100 vite burg 16 anëtarët e grupit

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha sot mbi 100 vite burgim për anëtarët e një grupi të strukturuar kriminal që kishin krijuar skemë mashtrimi me call center-a.
Kështu, vendimi i referohet 16 anëtarëve të grupit që kishin krijuar skemë mashtrimi të shtetasve italianë me call-centera, me vlerë dëmi rreth 5 mln euro.
Gjyqtarët Flojera Davidhi, Irena Gjoka dhe Erjon Bani dhanë sot vendimin duke shpallur fajtorë të 16 të pandehurit, ndërsa dënimet shkojnë deri në 12 vite burg. Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar.
Kreu i grupit Bruno Çobo mori një dënim me 12 vite, po për shkak të gjykimit të shkurtuar u kthye në 8 vite. Çobo u ekstradua nga Dubai në muajin mars 2024.
Akuzat kanë qenë “mashtrim kompjuterik” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Elisa Çaçi (Caci) dhe Gilbert Palushani u dënuan secili me 7 vite e 4 muaj burg, ndërsa Aldo Pasku, Bruno Gjika, Rezarta Ibrahimi (Çaçi), Valbona Abedinaj, Erion Kastrati, Orland Cani, Florjan Bregu, Hamit Dobi, Greta Gjoci (Pepa), Gjin Shelnishta, Antoneta Malo (Pepkolaj), Silvana Veliu dhe Mojsi Zuna morën dënime nga 6 vite e 8 muaj deri në 7 vite e 4 muaj burgim.
Të pandehurit e dosjes së SPAK ishin: Bruno Çobo, Elisa Çaçi (Caci), Gilbert Palushani, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Rezarta Ibrahimi (Çaçi), Valbona Abedinaj, Erion Kastrati, Orland Cani, Florjan Bregu, Hamit Dobi, Greta Gjoci (Pepa), Gjin Shelnishta, Antoneta Malo (Pepkolaj), Silvana Veliu dhe Mojsi Zuna.
Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “arrest në burg” dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.