E Hënë, 2 Nëntor 2026

Peleshi: Shqipëria në rrugë të sigurt drejt BE-së, konsensus i plotë politik për integrimin

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar përkushtimin institucional dhe politik ndaj këtij objektivi strategjik kombëtar.

Gjatë takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE–Shqipëri, të zhvilluar sot në Tiranë, Peleshi vlerësoi progresin e bërë në procesin e reformave dhe nënvizoi hapat konkretë që po ndërmerren për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit.

Ai nënvizoi se Shqipëria ka hapur negociatat për pesë grup-kapituj dhe është në procesin e përgatitjes për të hapur kapitullin e fundit, duke bërë të ditur se synimi i Shqipërisë është përfundimi i negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi zyrtar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi kryesor strategjik i Shqipërisë. Synimi ynë është që të përfundojmë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe ti bashkohemi zyrtarisht Bashkimit Evropian deri në vitin 2030”, deklaroi ai.

Kryetari i Kuvendit u shpreh i bindur se anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime të mëdha për Shqipërinë, përfshirë zhvillimin ekonomik, stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

Peleshi nënvizoi konsensusin e gjerë politik në Shqipëri për integrimin evropian.

“Rruga e Shqipërisë drejt integrimit evropian është një vizion që i kapërcen dallimet politike, të bashkuar në bindjen se integrimi evropian është rruga më e mirë për të ecur përpara për mirëqenien, sigurinë dhe stabilitetin e vendit tone”, tha ai.

Sipas Peleshi-t, 91% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE, dhe ky është një qëllim i përbashkët i të gjitha forcave politike dhe institucioneve shtetërore.

Ai theksoi se ky proces nuk është një angazhim i vetëm i qeverisë, por i gjithë shoqërisë, duke përfshirë parlamentin, shoqërinë civile dhe aktorët jopolitikë.

Peleshi vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e procesit të negociatave dhe në sigurimin e transparencës dhe përfshirjes së gjithë shoqërisë në këtë proces. Ai siguroi për angazhimin e Kuvendit për të monitoruar nga afër ecurinë e negociatave, përfshirë edhe zhvillimet në lidhje me kapitullin 1 “Themeloret”, që është i pari për të cilin janë hapur negociatat dhe i fundit që do të mbyllet.

Në këtë kuadër, Peleshi informoi se Kuvendi ka miratuar një sërë nismash ligjore që janë pjesë e reformave të kërkuara për përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian.

Kreu i Kuvendit, theksoi gjithashtu rëndësinë e informimit të publikut për procesin e integrimit, duke siguruar se transparenca dhe komunikimi i hapur janë thelbësore për të forcuar legjitimitetin demokratik të procesit dhe për të siguruar mbështetje më të gjerë të shoqërisë për këtë kauzë.

“Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar të vazhdojë të forcojë kapacitetet e tij dhe të krijojë ekspertizë në fushat që lidhen me politikat e Bashkimit Evropian, duke përgatitur kështu terrenin për një proces më efikas dhe të suksesshëm të integrimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh ai. /j.p/

Takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipërii, foto: Florian Abaz... 1 nga 10

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›