E Diel, 1 Nëntor 2026

Mateus Frroku: Më kishte munguar skena e Festivalit të RTSH-së

Këngëtari i njohur Mateus Frroku, i ftuar në natën e tretë të Festivalit 64 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ka kënduar në duet së bashku me Erik Lloshin.

Pas emocioneve që dhuruan në skenë me këngën e njohur të Vaçe Zelës, “Djaloshi dhe shiu”, Mateus Frroku tha se fillimisht kishin një ngurrim për ta kënduar këtë këngë për shkak të tematikës së saj.

Megjithatë, sipas Frrokut, skena e Festivalit të 64-t të Radio Televizionit Shqiptar i dhuroi emocione të veçanta të cilat i kishin munguar prej kohësh.

“Ka qenë energji e mirë që e këndova me mikun tim, Erik Lloshi. E kishim pak siklet në fillim këngën. Ka një tematikë pak femërore, jo për djem. Gjithsesi ishte një energji shumë e bukur. Pa dashur të zgjatem shumë, dua të falënderoj Elhaida Dani për ftesën sepse realisht më kishte munguar kjo skenë, kjo energji.  Jam shumë falënderues për këto emocione që përjetova sonte”, u shpreh Mateus Frroku për dy prezantuesit e Fest 64, Salsano Rrapi dhe Arilena Ara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›