“Prapaskena e Fest 64”, Luna Çausholli dhe Kelly sjellin magjinë e “Ende ka shpresë”: Kemi një projekt të ri bashkë

Nata e tretë e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, e dedikuar nostalgjisë, solli në skenë një nga baladat më të dashura të dekadës së fundit. Luna Çausholli dhe kantautori Kelly bashkuan forcat për të interpretuar hitin “Ende ka shpresë”, këngën ikonike të Alban Skënderajt dhe Miriam Canit.
Përtej emocionit të skenës, dyshja zbuloi në prapaskenë se ky bashkëpunim nuk është i rastësishëm dhe as i fundit.
Në një intervistë për rubrikën “Prapaskena e Fest 64”, Kelly u shpreh entuziast për ftesën dhe partneritetin me Lunën, duke e cilësuar gjithçka si shumë të natyrshme. Madje, ai dha edhe lajmin ekskluziv për një projekt të përbashkët.
“Ftesa për të kënduar në Fest 64 ishte shumë e bukur, pasi edhe kënga është realisht shumë e bukur; është një këngë që ka bërë epokë,” u shpreh Kelly.
“Bashkëpunimi me Lunën ishte i natyrshëm. Madje, bashkë kemi një material që pritet të dalë shpejt”.
Për Lunën, interpretimi i kësaj kënge ishte një përgjegjësi emocionale, duke qenë se është një melodi që e ka shoqëruar gjatë rritjes.
“Jam rritur me këngën ‘Ende ka shpresë’. Kur m’u dha për ta kënduar, u emocionova shumë,” rrëfeu ajo.
Duke folur për peshën e skenës së Pallatit të Kongreseve, Kelly e cilësoi atë si “magjike dhe që sjell gjithmonë emocione”.
I pyetur për kujtimet e tij të fëmijërisë nga festivalet e shkuara, ai veçoi një moment të veçantë:
“Në fëmijëri, nga festivalet më është fiksuar kënga e Irma Libohovës, ‘Horoskopi’,” tha ai duke qeshur, duke iu referuar hitit të vitit 1991.
/rtsh.al/