Matura Shtetërore, Kumbaro apel nxënësve të zbatojnë rregullat

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Më 2 qershor maturantët do të zhvillojnë provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale, u bëri apel nxënësve të respektojnë rregullat e Maturës Shtetërore.
“Ndërsa edhe pak ditë kanë mbetur nga përgatitjet për provimet e maturës, është e rëndësishme të rikujtojmë së bashku se është rreptësisht e ndaluar që gjatë kohës së provimit të keni me vete telefona, ora smart e çdo pajisje tjetër të lidhur me inteligjencën artificiale”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “ndalohen gjithashtu kopjet, bisedat me nxënës të tjerë dhe përdorimi i materialeve të tjera të palejuara”.
Duke iu drejtuar nxënësve, ministrja Kumbaro u shpreh se “për t’ia dalë mbanë me sukses mbështetuni tek përgatitja, përsëritja dhe besimi tek vetja juaj”.
Më 9 qershor nxënësit do të zhvillojnë provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 16 qershor Matematikën dhe më 23 qershor provimin me zgjedhje.
Provimet e Maturës Shtetërore 2026 fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.
Testet e provimeve të Maturës Shtetërore 2026 hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Testi për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore 2026 përmban pyetje të 3 niveleve të arritjes dhe vlerësohet me 60 pikë maksimale.
Testi i veçantë i hartuar për nxënësit me aftësi të kufizuara, për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore 2026 përmban vetëm pyetje të nivelit të parë dhe të dytë të arritjes dhe vlerësohet me pikët maksimale që i korrespondojnë nivelit të dytë.
1 nga 4/k.s/a.f/r.e/