Rama ndan pamje nga plazhi i Shëngjinit i mbushur me turistë

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Plazhi i Shëngjinit vijon të mbetet një nga destinacionet e preferuara për pushuesit vendas, por edhe për turistët e huaj.
Moti i ngrohtë, plazhet e pastra dhe qetësia kanë bërë që njerëzit të “arratisen” nga zhurma e qytetit, për të shijuar disa orë në bregdet në këto ditë të fundit të majit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Shëngjinit i mbushur me pushues të të gjitha moshave.
Lezha me bregdetin dhe lagunat e saj, sitet kulturore e historike, peizazhet mahnitëse tërheq pushues vendas dhe të huaj, trend që vijon në rritje prej vitesh tashmë.
Potencialin më të madh e ka turizmi bregdetar, pasi plazhet e Lezhës, Shëngjini, Talja apo Rana e Hedhun frekuentohen masivisht.
Fluksi më i madh i turistëve regjistrohet gjatë sezonit veror, edhe pse Lezha ndërthur natyrshëm turizmin bregdetar me atë historik e natyror.
Me rreth 38 kilometra vijë bregdetare, plazhet e Lezhës janë kthyer në destinacionin kryesor për pushuesit nga të gjitha trevat e Shqipërisë, por edhe për turistët e huaj.
/m.m/a.f/r.e/