E Hënë, 2 Nëntor 2026

Matura Shtetërore/ Maturantët i nënshtrohen sot provimit të Gjuhës së Huaj

Maturantët në të gjithë vendin janë ulur sot në bankat e shkollës për t’iu nënshtruar provimit të parë të Maturës Shtetërore 2026, atij të Gjuhës së Huaj. Procesi po zhvillohet në 114 qendra provimi, ku janë angazhuar 170 mbikëqyrës për të garantuar mbarëvajtjen dhe korrektësinë e testimit.

Sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Arsimit, më 9 qershor do të zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 16 qershor ai i Matematikës, ndërsa më 23 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të fundit, atij me zgjedhje.

Ministria e Arsimit ka bërë me dije se, përpara nisjes së sezonit të provimeve, maturantët janë pajisur me teste model për t’i orientuar gjatë përgatitjeve dhe për t’i njohur me formatin e testimit.

Në njoftimin zyrtar, institucioni ka theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave, duke paralajmëruar se çdo shkelje gjatë provimeve do të shoqërohet me masa ndëshkimore sipas rregullores së Maturës Shtetërore 2026. Po ashtu, maturantëve u është bërë thirrje të mbështeten te përgatitja serioze dhe e vazhdueshme për të siguruar rezultate sa më të mira.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka deklaruar se këtë vit do të ketë masa më të rrepta kontrolli dhe ndëshkime më të ashpra për çdo shkelje të konstatuar gjatë zhvillimit të provimeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›