AKMC: Dy vatra aktive zjarri në Vlorë dhe Kukës, forcat operacionale në terren pa ndërprerje

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile e ngritur pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, bën të ditur se gjatë orëve të fundit, në Shqipëri janë raportuar shtatë vatra zjarri, nga të cilat pesë janë shuar plotësisht, ndërsa dy vazhdojnë të jenë aktive.
Sipas AKMC-së, forcat operacionale kanë punuar pa ndërprerje për të izoluar dhe shuar zjarret në disa zona, duke arritur rezultate të rëndësishme.
Në fshatin Ndërfan të njësisë administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, si dhe në zonën e Astirit në Tiranë, zjarret janë vënë nën kontroll dhe janë shuar plotësisht.
Po ashtu, flakët u neutralizuan në lagjen “Ish-Fidanishtja” në Vlorë, në fshatin Amonicë të njësisë administrative Sevaster në Selenicë dhe në fshatin Shijon, Bradashesh, Elbasan.
Aktualisht, zjarret aktive ndodhen në qarqet e Vlorës dhe Kukësit. Në Himarë, vatrat në Porto Palermo dhe në zonën Qafë Lerë-Llaman janë fikur, ndërsa në fshatin Kudhës, në vendin e quajtur Vumlo, zjarri, pas izolimit fillestar, u përhap përsëri për shkak të erës dhe nxehtësisë, duke krijuar vështirësi për ndërhyrje për shkak të terrenit të ashpër.
Forcat e MZSH, Shërbimi Pyjor dhe ndërmarrjet lokale po punojnë me mjete rrethanore dhe pompa shpine për të kontrolluar situatën, pa rrezikuar zonat e banuara.
Në Kukës, konkretisht në fshatin Kolsh të njësisë administrative Mamëz, po vijon puna për fikjen e zjarrit të shkaktuar në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane.
Për këtë operacion janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, një fadromë, një ekskavator dhe katër kamionë nga Drejtoria e Shërbimeve të Bashkisë.
Pavarësisht sfidave dhe kushteve të vështira në terren, forcat në terren po vazhdojnë punën intensive për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve, duke mbajtur situatën nën kontroll dhe duke garantuar sigurinë e banorëve në zonat e prekura. /j.p/