TEL AVIV – Izraeli premton të mos sulmojë më tej Iranin pas telefonatës Trump-Netanyahu

TEL AVIV, 24 qershor /ATSH-DPA/- Izraeli ka informuar presidentin e SHBA-së Donald Trump se do të përmbahet nga sulmet e mëtejshme ndaj Iranit gjatë një bisedë midis Trump dhe Kryeministrit Benjamin Netanyahu të martën, tha zyra e Netanyahut.
Trump theksoi besimin e tij në stabilitetin e armëpushimit që shpalli më herët.
Presidenti amerikan njoftoi armëpushimin dje në mbrëmje, i cili u konfirmua sot nga Izraeli dhe Irani.
Por të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje dhe Trump gjithashtu deklaroi se të dyja kishin shkelur marrëveshjen e armëpushimit.
Zyra e Netanyahut raportoi se katër orë para se të hynte në fuqi armëpushimi, forcat izraelite kishin vrarë qindra punonjës të sigurisë iraniane dhe anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IGRC).
Irani nga ana tjetër kishte lëshuar një breshëri raketash para afatit të armëpushimit, një raketë rreth gjashtë minuta pasi armëpushimi kishte hyrë në fuqi dhe dy raketa të tjera rreth tre orë e gjysmë më vonë.
“Këto raketa ose u interceptuan ose ranë në zona të hapura dhe nuk shkaktuan as viktima as dëme”, tha zyra e Netanyahut.
“Në përgjigje të shkeljeve të Iranit, Forcat Ajrore shkatërruan një instalim radari pranë Teheranit”, tha zyra.
“Në bisedën me Netanyahun, Trump shprehu një vlerësim të madh për Izraelin, i cili arriti të gjitha objektivat e tij për luftën, si dhe besimin e tij në stabilitetin e armëpushimit”, tha zyra e Netanyahut. //a.i/