Maturantët, llogaritja e pikëve për në universitet, nis më 23 korrik
Gazeta “Shekulli”, publikon shembuj konkret, të llogaritjes së pikëve, për pranimet në universitetet publike
Rezultatet e provimeve me zgjedhje, shpallen në javën e parafundit të korrikut, duke i hapur udhë llogaritjes së pikëve në universitete
Matura Shtetërore, po vjen dalëngadalë, drejt fundit. Pas mësimit të rezultateve në dy provimet e para me detyrim në lëndët e Gjuhë-Letërsisë dhe Matematikës, për maturantët, po afron sfida e madhe, që do të mbyllë kapitullin e testimeve të pjekurisë. Më datë 10 korrik, ekzaktësisht pas 3 ditësh, mbi 35 mijë maturantë, në të gjithë vendin, do të japin provim dy lëndë me zgjedhje, pikët e të cilave do të shërbejnë për të qenë pjesë e sistemit të pranimeve në universitete, për vitin akademik 2008-2009. Maturantët kanë filluar të bëjnë llogaritjen paraprake të pikëve, menjëherë sapo janë njohur me rezultatet e marra në dy provimet e para me detyrim të Maturës Shtetërore. Gjithsesi, për të bërë një llogaritje të saktë të pikëve, maturantët duhet të presin datën 23 korrik, ditë në të cilën është vendosur të shpallen rezultatet e provimeve me zgjedhje. Vetëm pas publikimit të rezultateve, në dy provimet e dhëna me zgjedhje, maturantët do të duhet të marrin lapsin në dorë, dhe të kryejnë veprimet e duhura matematikore, sipas sistemit Meritë-Preferencë, të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave.
Aktualisht në shkollat e mesme të vendit, vazhdon me intensitet, plotësimi i Formularit A2. Maturantët kanë edhe dy ditë kohë në dispozicion për të rreshtuar, në formular, 10 programet e studimit, që ata parapëlqejnë të ndjekin. Më datë 9 korrik, maturantët duhet të kenë dorëzuar në sekretaritë e shkollave përkatëse, Formularin A2 të plotësuar, ndërkohë që pas kësaj date, nuk do të pranohet asnjë formular. Vetëm një ditë më pas, më datë 10 korrik, maturantët do t’i nënshtrohen dy provimeve me zgjedhje, që kanë plotësuar në Formularin A1. Miratimi së fundi i kuotave të pranimit, nga Këshilli i Ministrave, u ka krijuar mundësinë maturantëve, të kenë një ide më të qartë, lidhur mbi rrugën që ata do të ndjekin, pas përfundimit të shkollës së mesme. Por për të fituar degën e preferuar maturantët, duhet të mbështeten në mundësitë reale që ata kanë. Për të bërë vlerësimin e mundësive që ata kanë, për të ndjekur programin e preferuar të studimit, maturantët duhet fillimisht të bëjnë llogaritjen e pikëve të fituara në dy provimet me detyrim.
***
Veprimi i parë që duhet të bëjnë maturantët para se të marrin lapsin në dorë për të llogaritur pikët, është shikimi i koeficientit, që fakulteti ku ata dëshirojnë të ndjekin studimet, ka vendosur për shkollën e tyre. Nëse një maturant ka aplikuar në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar studimet ne degën e Historisë, duhet të shikojë koeficientin që ka vendosur kjo degë, për profilin e shkollës së mesme, që maturanti ka përfunduar. Pasi ka kryer këtë veprim, maturanti fillimisht shumëzon notën mesatare, të katër viteve të shkollës së mesme me koeficientin e shkollës. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe me pikët e fituara në dy provimet e para me detyrim, ku secila prej tyre shumëzohet me koeficientin e shkollës, në të cilën ata kanë dhënë provimet e Maturës Shtetërore. Ky është hapi i parë, që duhet të ndjekë maturanti, në llogaritjen e saktë të pikëve. Hapi i dytë ka të bëjë me lëndët me zgjedhje, ku për secilën lëndë, çdo fakultet ka vendosur një koeficient të ndryshëm. Në këtë rast, për të përftuar shumën e pikëve, maturanti, duhet të shumëzojë, pikët e marra, në secilin provim me zgjedhje, me koeficientin që kjo lëndë ka në tabelën e miratuar nga universitetet. Konkretisht, nëse një maturant ka zgjedhur të japë lëndë me zgjedhje, Kiminë dhe Biologjinë, ai duhet të shumëzojë koeficientin që kanë këto lëndë me pikët që ai vetë ka marrë në provim. Ky është veprimi i dytë, që duhet të ndjekë një maturant në llogaritjen e pikëve, që e rendisin në listën e pranimeve në universiteteve. Hapi i tretë, është mbledhja e shumave të përfituara nga veprimet e mësipërme, si edhe shumëzimi i tyre me 100, që jep në përfundim pikët për secilin maturant.
Shembull
Një maturant ka aplikuar në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar studimet në degën e Historisë. Maturanti ka përfunduar, shkollën e mesme të përgjithshme të profilizuar, profili shoqëror, dhe ka notë mesatare, 7.40.
Në dy provimet e detyruara ka këto rezultate:
• Në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe 8.10
• Në Matematike 7.20
Në Formularin A1 ka zgjedhur provime me zgjedhje;
• Histori
• Gjeografi
dhe ka si rezultate:
• Në Histori 9.40
• Në Gjeografi 7.35
Llogaritja për të gjetur sasinë e pikëve
Veprimi i parë:
Në fillim maturanti shikon koeficientin që ka caktuar Fakulteti i Histori-Filologjisë për shkollën e mesme, ku ai ka dhënë provimet e Maturës. Ajo sheh në tabelë dhe gjen koeficientin 1.4.
Atëherë kryen këtë llogaritje:
Shumëzon:
7.40 (nota mesatare e shkollës së mesme) x 1.4 (koeficienti i shkollës) = 10.36
Shumëzon:
8.10 (nota në Gjuhë-Letërsi) x 1.4 (koeficienti i shkollës) = 11.34
Shumëzon:
7.20 (nota në matematikë) x 1.4 (koeficienti i shkollës) = 10.08
Veprimi i dytë:
Shikon koeficientët që Fakulteti i Histori-Filologjisë ka zgjedhur për Historinë dhe Gjeografinë.
Në tabelë gjen këta koeficiente:
• Për Historinë 1.3
• Për Gjeografinë 1.3
Në këtë rast;
Shumëzon:
9.40 (nota në Histori) x 1.3 (koeficienti për Historinë) = 12.22
Shumëzon:
7.53 (nota në Gjeografi) x 1.3 (koeficienti për Gjeografinë) = 9.789
Veprimi i tretë:
Secili prej rezultateve te mësipërme shumëzohet me 100:
10.36x 100 = 1036
11.34x 100 = 1134
10.08x 100 = 1008
12.22x 100 = 1222
9.789x 100 = 978.9
Veprimi i katërt:
Rezultatet mblidhen:
1036+ 1134 + 1008 + 1222 + 978.9 = 5378.9 (rezultati)
Matematika, maturantët e pakënaqur, nesër tërheqin testin
Duke filluar nga dita e nesërme, maturantët e pakënaqur, nga provimi i dytë me detyrim mund të paraqiten në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) për të tërhequr kopjen e testit personal të korrigjuar. Për të tërhequr testin, maturantët duhet të paraqesin një kërkesë pranë Këshillit Shkollor të Maturës Shtetërore, duke paguar një tarifë prej 400 lekësh për çdo kopje të testit në sekretarinë e shkollës. Pas dorëzimit të testit, Komisioni Shkollor i Maturës grumbullon të gjitha kërkesat dhe pas shqyrtimit i përcjell ato rast pas rasti në Komisionin e Maturës Shtetërore, pranë Drejtorive Arsimore Rajonale, së bashku me një mandat-arkëtimi të përbashkët për të gjithë kërkuesit, për llogari të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. AVA, në këtë rast, bën thjesht nxjerrjen e testit nga arkiva, ndërsa nuk merr përsipër të rikorrigjojë testin. Dikasteri që merret me hartimin e testit, pas kërkesës së ardhur nga Komisioni Shkollor i Maturës, i përcjell këtij të fundit një fotokopje të kërkuesit. Maturantët e pakënaqur dhe që kërkojnë të rishikojnë testin, pas marrjes në dorëzim të fotokopjes, hedhin firmën mbi dokumentin, ndërsa vlerësimi i shpallur nga AVA për çdo pjesëmarrës në provime nuk do të rishikohet. Në këtë kontekst, maturantët, paçka gabimeve që mund të jenë bërë në korrigjimin e testit, nuk do t’u jepet mundësia për të bërë edhe njëherë rikorrigjimin. E gjithë procedura e dorëzimit të fotokopjes së testit të korrigjuar në duart e maturantëve që kanë bërë një kërkesë të tillë, nuk zgjat më shumë se tre ditë nga koha e dorëzimit të kërkesës në shkollë. E drejta për të rikorrigjuar, i lind maturantëve vetëm pasi të kenë konstatuar gabime në llogaritjen e pikëve, gjatë fazës së pranimeve në shkollat e larta.