E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrijnë në Rinas pjesët e reja hidraulike nga Stambolli, dërgohen menjëherë në Vlorë për riparimin e ujësjellësit

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike pamje nga mbërritja në aeroportin e Rinasit e materialeve të reja për sistemin e transportit të ujit të pijshëm.

Sipas njoftimit, pjesët hidraulike janë nisur menjëherë drejt Vlorës, ku prej katër ditësh qyteti po përballet me mungesë të furnizimit me ujë për shkak të një defekti në linjën kryesore.

Më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama njoftoi se pjesët e reja hidraulike janë dërguar nga Stambolli dhe do të përdoren për riparimin e defektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës.

Ai sqaroi se problemi ka ardhur si pasojë e instalimit të pjesëve jashtë standardeve në vitet 2009–2010, të cilat nuk kanë rezistuar ndaj presionit të ujit.

Rama shprehu mirënjohje për punëtorët e Ujësjellësit Vlorë dhe për drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, inxhinierin Flauers Shoshi, që sipas tij po udhëheq operacionin e vështirë për rikthimin e furnizimit.

“Respekt për punën e palodhur të punëtorëve që po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës,” – u shpreh Rama.

Kryeministri kërkoi ndjesë qytetarëve për situatën, duke e cilësuar si një peripeci të pamerituar.

“Vlonjatëve u them ndjesë për këtë peripeci. Plasi më në fund edhe syri i keq pas viteve të mira për Vlorën,” – tha ai.

Ndërkohë, mungesa e ujit ka nxitur reagimin e fortë të banorëve të Vlorës, të cilët prej ditësh kanë protestuar para bashkisë duke kërkuar zgjidhje urgjente.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›