Mbështetje për fermerët, Denaj: Skema Investimeve, 50% grant për mbjellje të reja

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Fermerët shqiptarë që synojnë të investojnë në mbjellje të reja pemësh frutore, agrumesh, ullishtesh dhe vreshtash do të përfitojnë 50% grant nga Skema Kombëtare e Investimeve 2025, e cila është hapur për aplikime deri më 30 shtator.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se mbështetja financiare ofrohet për sipërfaqe nga 0.5 ha deri në 10 ha.
Sipas saj, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 përfshin financim 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 800,000 lekë për hektar deri në 250,000 lekë/ha shtesë për investimet në sistemin e ujitjes me pika (gjithashtu në masën 50% të kostos).
Gjithashtu bëri të ditur Denaj, përfitojnë pagesë shtesë fermerët që instalojnë sisteme të ujitjes me pika.
Përfitues të mundshëm janë Fermer individual; Subjekte me status fizik dhe juridik ; Shoqëri të bashkëpunimit bujqësor.
Denaj u shpreh se, ky financim synon të nxisë zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe të rrisë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e fermerëve në treg.
Përveç grantit, skema mund të kombinohet me Kredinë e Butë, e cila ofrohet me një normë interesi prej vetëm 2%, si dhe me garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, duke mundësuar financim të plotë të investimit.
Aplikimet kryhen pranë zyrave qendrore të AZHBR-së, ndërsa skema përfshin gjithsej 9 masa mbështetëse për sektorin bujqësor.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bujqësisë shqiptare dhe përmirësimit të kapaciteteve prodhuese në përputhje me objektivat e Bujqësisë 2030.
/a.f/