E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 1 900 analiza të akredituara për cilësinë e vajit të ullirit


TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) po kryen analiza të vazhdueshme laboratorike për kampionë të vajit të ullirit, me synim garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve që mbërrijnë në tryezat e konsumatorëve.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau sot pamje nga laboratorët e ISUV-it, ku ekspertët testojnë parametrat e vajit të ullirit.

Salla, bëri të ditur se gjatë këtij viti janë realizuar 1 945 teste të akredituara, në përputhje me standardin ISO 17025:2017 dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, këto analiza forcojnë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë muajve janar-shtator është eksportuar një sasi prej rreth 670 mijë kilogramë vaj ulliri.

Sa i përket prodhimit, të dhënat e fundit zyrtare që i përkasin vitit 2024, tregojnë se janë prodhuar 146,7 mijë tonë ullinj.

Në total, për vitin 2024, sipas të dhënave të Doganave, eksportet e vajit të ullirit kanë arritur në rreth 2,3 milionë kilogramë. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›