E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 14 mijë pemë të mbjella në Elbasan

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Fushata e pyllëzimit në bashkinë Elbasan po vijon me intensitet, në kuadër të masave për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra.

Procesi është pjesë e një strategjie të qëndrueshme për rigjenerimin e ekosistemit dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës në qytet dhe zonat përreth tij.

Aksioni i radhës i mbjelljeve u zhvillua në Kodër Krastë, e njohur si “mushkëria e qytetit”, ku grupet e punës së drejtorisë së pyjeve, së bashku me vullnetarë, vijuan mbjelljen e fidanëve të rinj.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si dhe deputeti Adi Qosja.

Kryebashkiaku Llatja theksoi se fushata e pyllëzimit është shtrirë në disa zona prioritare, si në territorin urban ashtu edhe në atë rural.

Ai bëri të ditur se deri më tani në gjithë bashkinë e Elbasanit janë mbjellë mbi 14 mijë pemë, ndërsa synimi është që deri në fund të sezonit të mbjelljeve ky numër të shkojë në mbi 20 mijë fidanë.

Sipas tij, prioritet u është dhënë zonave me ndikim ekonomik dhe mjedisor, ndërsa një vëmendje e veçantë i është kushtuar Kodër Krastës, ku krahas pastrimit të pemëve të dëmtuara po kryhet edhe zëvendësimi i tyre me fidanë të rinj, duke arritur deri tani në mbi 3400 pemë të mbjella.

Nga ana e tij, deputeti Adi Qose u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e hapësirave të gjelbra dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë sezonit veror, për të shmangur dëmtimet dhe zjarret.

Fushata e pyllëzimit është përqendruar në zona me rëndësi mjedisore, turistike dhe ekonomike, si Funari dhe Gjinari, të cilat konsiderohen zona me potencial të lartë për zhvillimin e turizmit malor dhe agroturizmit. Ndërkohë, Krasta mbetet një zonë kyçe për balancën ekologjike të qytetit, ku po forcohet brezi i gjelbër për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të tokës.

Një tjetër komponent i rëndësishëm i fushatës është pyllëzimi në oborret dhe rrethinat e shkollave, me qëllim krijimin e hapësirave më të shëndetshme për nxënësit dhe rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor te brezat e rinj. Paralelisht, po punohet edhe për ripyllëzimin e zonave të prekura nga zjarret, si një masë rehabilituese për rikthimin e ekosistemeve dhe minimizimin e rrezikut të erozionit.

Objektivi për mbjelljen e 20 mijë fidanëve gjatë këtij viti konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një mjedisi më të qëndrueshëm dhe një infrastrukture natyrore më të pasur për komunitetin dhe vizitorët e Elbasanit.

1 nga 5

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›