Mbi 70% e të diplomuarve në shkollat profesionale punësohen ose vetëpunësohen

Shkolla profesionale “Antonio Athanasi” në Sarandë po shënon një interes të lartë nga nxënësit, veçanërisht në dy drejtimet kryesore: ekonomi dhe hoteleri-turizëm. Rritja e kërkesës lidhet ngushtë me zhvillimin e shpejtë të sektorit të turizmit në zonë.
Duke parë rëndësinë dhe nevojën për profesionistë të kualifikuar, gjithnjë e më shumë të rinj po orientohen drejt këtyre degëve.
“Zhvillimi i turizmit në vendin tonë ka bërë që më e preferuar të jetë dega Hoteleri-Turizëm, sepse kërkesat në këtë industri janë shumë të larta për profesionistë”, tha Rudina Liçaj, drejtoreshë e shkollës “Antonio Athanasi”, Sarandë.
Sipas Liçaj, institucioni ka zgjeruar bashkëpunimin me biznesin lokal, duke përfshirë 66 biznese ekzistuese dhe 49 të tjera të reja. Ky bashkëpunim ka ndikuar edhe në punësimin e nxënësve, ku mbi 70% e tyre arrijnë të punësohen pas përfundimit të shkollës, në profesionet që kanë zgjedhur.
Kjo e kthen shkollën profesionale në një urë të rëndësishme drejt tregut të punës në zonën e Sarandës.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/