E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet komisioni për Reformën Zgjedhore, Bylykbashi: Rekomandimet e OSBE/ODIHR të trajtohen me konsensus, Gjiknuri: Gjithçka transparente

TIRANË, 13 shkurt /ATSh/ Komisioni Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku u përcaktuan detyrat për adresimin e punës, konkretisht për financimin e partive politike jashtë fushatës zgjedhore.

Në fjalën e tij, bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi theksoi se në këtë reformë qëllimi kryesor është të krijohet sistem i drejtë dhe i paanshëm. Sipas tij nuk duhet të përsëriten gabimet e së shkuarës, por duhet të punohet për një reformë që reflekton konsensus të gjerë politik. Deputeti i Partisë Demokratike shtoi gjithashtu se është e domosdoshme të trajtohen rekomandimet e OSBE/ODIHR për të garantuar një proces të drejtë dhe transparent.

“Do të jetë një punë me rëndësi siç është dëshmuar në të shkuarën. Sigurisht që do të na jepni mundësinë që gjithë tematikat tona, të punës së vendimmarrjes politike të Komisionit. Nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi në 2020 dhe që u ripërsërit me momentin e votimit të Avokatit të Popullit, ku në parlament u votua një gjë krejt tjetër. Ky komision ka për objekt dhe detyrë që t’i trajtojë rekomandimet e OSBE/ODIHR me konsensus. Duhet që ky komision të marrë më të mirën e proceseve të shkuara, të lërë mënjanë faktorët që kanë çuar në dështimin e proceseve. Kjo është parakusht që kjo reformë të ketë sukses. Kjo do të jetë korniza që ne si opozitë, të jetë kjo që na udhëheq. Çdo gjë tjetër do të ishte e papranueshme”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi theksoi rëndësinë e financimit të partive politike, ku nënvizoi se duhet të jetë transparent dhe i qëndrueshëm, në mënyrë që partitë të mos bëhen të varura nga presionet shtetërore.

“Një nga detyrat që do të keni si grup ekspertësh është të hartoni një listë të çështjeve që duhen trajtuar në kuadër të reformës zgjedhore. Kjo është një nga çështjet që ka një ndarje të veçantë, financimi i partive politike. Ka një seri problematikash të tjera. Sistemi zgjedhor është një nga problemet që ne kemi, deformimet e tij prodhojnë deformime të procesit jo vetëm zgjedhor, por edhe politik. Pushtimi i zgjedhjeve nga shteti është tematike dominante kryesore jo vetë si rekomandime por fakte që ne i dimë. Jo vetëm në aspektin material por fillon nga përdorimi i individëve në proces deri në përdorimin e pushtetit rregullator”, vijoi ai.

“Partitë politike kanë interes për mënyrën sesi do të financohen, është pjesë e kritereve që BE kërkon të përmbushen. Çështje e financimit të partive politike duhet parë nga çështja e burimeve, a janë të mjaftueshme dhe të shëndosha për të pasur një financim të tillë që nuk i bën partitë të varura dhe vulnerabël karshi presioneve që vijnë nga shteti, dhe më pas transparenca në shpenzim dhe raportim”, tha Bylykbashi.

Në mbledhjen e komisionit, Bylykbashi shtoi gjithashtu se ka edhe problematika të tjera siç janë administrimi i zgjedhjeve, mundësitë e manipulimit të procesit dhe vota e diasporës. Të gjitha këto problematika, tha Bylykbashi, duhet t’i trajtojnë sipas këtyre rekomandimeve të OSBE-ODIHR

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e një harmonizimi të ligjeve për të shmangur boshllëqet midis dispozitave dhe mekanizmave të ndryshëm ligjorë.

“Nëse mendohet se kjo është një materie që mund të jetë e lehtë për tu ndryshuar nga një mazhorancë qeverisëse kurdo, kjo do të ishte e dëmshme, por mund të shkojë dhe e rrezikshme. Zgjidhja duhet të jetë e shëndoshë si zgjidhje teknike, por edhe e mbrojtur sa më mirë në aspektin legjislativ, që do të thotë konsensusi duhet të jetë i plotë. Nëse qasjet nuk do të jenë të unifikuara, pra dy korpuse ligjore në një, por do të mbeten të veçanta siç janë, duhet bërë kujdes që të ketë një harmonizim të plotë të mekanizmave dhe të dispozitave në mënyrë që mos të ketë hapësira boshe midis dy legjislacioneve. Këto janë detyrë që besoj se do të vini me dispozita konkrete. Hapim rrugën sot për të gjetur zgjidhje teknike”, tha Bylykbashi.

Nga ana tjetër bashkëkryetari Damian Gjiknuri, theksoi se financimi i partive politike është një çështje shumë e rëndësishme për stabilitetin e politikës dhe duhet të shqyrtohet me shumë kujdes.

“Ligji i financimit nuk është i debatueshëm, pasi nuk lidhet me ato rekomandime që bëjnë me zgjedhje por e thashë partitë politike për mua janë gjëja më e rëndësishme, sepse ato nesër do të përfaqësojnë politikat që do të drejtojnë vendin. Prandaj e kemi vendosur dhe çështjen e parë”, tha ai.

Gjiknuri shtoi se “çdo gjë do të bëhet në bashkëpunim me ODIHR, produkti do t’i shkojë në fund edhe Komisionit të Venecias. Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri për të na asistuar dhe ne do t’i drejtohemi me një kërkesë zyrtare që të na asistojnë. Çdo gjë do të jetë transparente në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare”.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, foto: Florian Abazaj 1 nga 4

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›