Mbrojtja nga sulmet kibernetike, Rama: Sulmohemi vazhdimisht, por ja kemi dalë të mos dëmtohemi

Shqipëria, sipas kryeministrit Rama, është kthyer në një shembull sa i përket mbrojtjes nga sulmet kibernetike.
Në Konferencën e tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s të mbajtur në Tiranë, Rama vuri në dukje se vendi ynë vijon të sulmohet.
“Sot përballemi mesatarisht me një sulm kibernetik në çdo tre minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim tërësisht. Kur behet fjalë për sulme që lënë gjurmë, kemi pasur 48 të tilla gjatë gjithë vitit të fundit. Nga 48 një herë kanë lënë gjurmë por nuk kanë bërë asnjë dëm të konsiderueshëm”, tha Rama.
32 delegacioneve të pranishme, kreu i qeverisë i shpjegoi dhe metodën e përdorur nga Shqipëria për të përballuar çdo rrezik potencial.
“Kjo sepse ma ha mendja kemi qenë mes të parëve fare që kombinuan mbrojtje kibernetike me inteligjencën artificiale dhe është inteligjenca jonë artificiale brenda këtij muri mbrojtës kibernetik që bën punë 24 orë në ditë, 7 ditë të javës për të zbuluar në faza shumë të hershme potencialin e sulmeve të dëmshme, por kjo është vetëm një anë e medaljes”, tha shefi i qeverisë.
Për anëtarët e aleancës kishte dhe një mesazh.
“Është shumë e rëndësishme ta njohësh armikun dhe të njohësh instrumentet që përdor armiku, në mënyrë që të mos duhet të përballesh vetë, në momentin që mëson kur armiku sulmon dikë tjetër”, theksoi Rama.
Ndonëse jo prezent fizikisht, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte përcolli nevojën e investimeve sa i përket mbrojtjes kibernetike.
“Sot tastiera është armë lufte, shënjestron shoqëritë tona çdo ditë, aktorë shtetërore dhe jo shtetërorë punojnë kundër nesh në hapësirën kibernetike, duke u rrekur që të prishin mbrojtjet tona, të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare. Në përgjigje të kësaj, NATO vazhdon të bëhet më e fortë në botën dixhitale”, tha Rutte.
Gjithashtu NATO po krijon një Qendër të Integruar Kibernetike në Belgjikë, që do të informojë të gjitha komandat e aleancës për rreziqet e mundshme.