Mbyllet faza e dytë e projektit “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë”

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj bëri me dije sot, gjatë një takimi me ekipin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe partnerët e Bankës Gjermane për Zhvillim KfW se është përmbyllur faza e dytë e projektit “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë”.
Sipas Jaupajt, ky projekt ka qenë një gur themeli në forcimin e Parkut Kombëtar të Prespës, ruajtjen e biodiversitetit, uljen e trysnisë mbi ekosistemet ujore dhe rritjen e qëndrueshmërisë për komunitetet që jetojnë në këtë rajon të veçantë natyror.
Ministri Jaupaj u shpreh se ky takim u zhvillua në Qendrën e re të Vizitorëve të Parkut Drilon-Tushemisht, një tjetër dëshmi e suksesit të bashkëpunimit ndërinstitucional me bashkinë e Pogradecit dhe AADF në mbrojtjen e pasurive natyrore dhe zhvillimin e turizmit të përgjegjshëm.
“Qarku i Korçës, me xhevahiret natyrore, krijon një konstelacion ekoturistik që mund të promovohen për t’u shijuar nga vizitorët gjatë gjithë vitit, duke kontribuar në zhvillimin e komunitetit lokal”, tha Jaupaj.
/e.i/r.e/a.f/