E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi Social: 320 të moshuar të akomoduar në gjashtë qendra rezidenciale publike

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Në mbledhjen e sotme të Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik u shqyrtua raportimi i Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH) mbi përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në auditimin e performancës për kujdesin ndaj të moshuarve.

Drejtoresha e përgjithshme e SHSSH-së, Reme Lala, bëri të ditur se një nga rekomandimet kryesore lidhet me rishikimin e buxhetit për rritjen e fondeve të akorduara për institucionet rezidenciale të kujdesit social.

Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) ka në proces diskutimin e projektbuxhetit afatmesëm 2027-2029, ndërsa SHSSH po analizon të gjitha kërkesat e ardhura nga institucionet rezidenciale për shtim fondesh.

“Institucionet paraqesin nevojat e tyre për shërbime sociale, investime dhe fuqizimin e kapaciteteve njerëzore, të cilat merren në konsideratë gjatë hartimit të buxhetit. SHSSH, në bashkëpunim me MSHMS, ka mbështetur institucionet duke shtuar burimet financiare të alokuara, bazuar në kërkesat dhe performancën e tyre”, u shpreh Lala.

Ajo bëri me dije se gjatë vitit 2025 është realizuar një investim prej 4 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve elektroshtëpiake me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për të moshuarit në institucionet rezidenciale.

Ndërkohë, për vitin 2026 është çelur një fond i dedikuar prej 66 milionë lekësh për pajisje dhe investime në institucionet e kujdesit social.

Lidhur me rekomandimin për njësitë e vetëqeverisjes vendore, drejtuesja e SHSSH-së sqaroi se institucioni akordon fonde për shpenzimet e personelit dhe shpenzimet operative, ndërsa fondet për investime trajtohen sipas procedurave dhe kompetencave përkatëse.

Sa i përket kostos së kujdesit për një të moshuar të akomoduar në institucionet rezidenciale, SHSSH dhe MSHMS kryejnë llogaritjet duke u mbështetur në kapacitetet pritëse, numrin real të përfituesve dhe shpenzimet faktike për ushqim, akomodim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale.

“SHSSH mbetet i angazhuar në ndjekjen sistematike të të gjitha rekomandimeve të lëna nga KLSH, në bashkëpunim me MSHMS dhe institucionet përkatëse, për të garantuar standarde sa më të larta të shërbimeve të kujdesit për të moshuarit. Ka ende sfida dhe hapësira për përmirësim, por ne vijojmë të adresojmë nevojat dhe kërkesat e evidentuara”, theksoi Lala.

Ndërkohë, deputetja e PD-së për qarkun e Korçës, Ledina Alolli ngriti shqetësimin në lidhje me humbjet e jetëve të të moshuarve që jetojnë të vetëm, nëse bashkitë kanë një regjistër me numrin e të moshuarve që jetojnë vetëm apo kanë nevojë për ndihmë.

Në përgjigje të pyetjes, Lala bëri të ditur se aktualisht në vend funksionojnë gjashtë qendra rezidenciale publike për të moshuarit, të financuara nga buxheti i MSHMS, me një kapacitet prej 332 vendesh.

Aktualisht, në këto qendra marrin shërbime 320 të moshuar. Gjithashtu, çdo bashki disponon regjistra të shërbimeve sociale dhe plane sociale vendore, të cilat shërbejnë për identifikimin e grupeve në nevojë dhe orientimin drejt shërbimeve të nevojshme.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›