“Më rrezikohet jeta në burgun 313”, Durim Bami transferohet në Fushë-Krujë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pranoi kërkesën e Durim Bamit për transferim nga paraburgimi “Jordan Misja” në paraburgimin e Fushë Krujës.
Bami, i ekstraduar pak javë më parë nga Dubai kërkoi transferim, me argumentin se në “313” dhe paraburgime të tjera të vendit i rrezikohej jeta.
Sipas tij, në to gjendeshin persona që akuzoheshin për krijim kushtesh për vrasjen e tij.
Zhvendosja e Bamit është realizuar 2 ditë më parë.
Durim Bami akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin Bamin të vdekur. Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.
Ndërsa në shkurt 2021, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit, mik i Ervis Martinaj i cili u vra në Tiranë.
Sipas SPAK, Durim Bami drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin. Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina (i arrestuar) dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që jepnin informacione të brendshme dhe shmangnin kontrollet policore.
LEXO EDHE: A do të trazojë politikën dhe botën e krimit ekstradimi i Durim Bamit?