Megaoperacioni Shqipëri-Itali, Dumani: U godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në vend

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Drejtuesi i Përgjithshëm i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani zhvilloi sot një konference të përbashkët për shtyp me kryeprokurorin e Barit Roberto Rossi, drejtorin e Antimafias italiane Michele Carbone dhe përfaqësuesin e ‘Eurojust’ për Italinë Gianluca Forlani.
Kreu i SPAK bëri publike rezultatet e një hetimi të përbashkët mes SPAK, autoriteteve italiane, Prokurorisë së Barit dhe drejtorisë së antimafias italiane, ndërsa theksoi se ky operacion përfaqëson një hap të rëndësishëm në luftën e përbashkët kundër krimit transnacional.
“Është arritur t’i jepet një goditje e rëndësishme një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, për të cilin ka dyshime të forta që ishte i përfshirë në trafikun e drogave të forta dhe pastrimin e parave. Ky operacion i mbështetur nga hetime të thelluara dhe një shkëmbim informacioni ndërinstitucional është një dëshmi e qartë e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë me besim të ndërsjellë, profesionalizëm dhe përkushtim”, tha Dumani.
“Vlerësimi që bëjmë ne si institucion që është ndër grupet më të rrezikshme ka shumë indikatorë. Grupi ynë i hetimit dhe kolegët italianë konkludojmë se është një nga grupet më të rrezikshme qoftë nga pushteti financiar që kanë, të ardhurat që sigurojnë nga aktiviteti kriminal, aftësia për të trafikuar sasi të mëdha kokainë nga vendet e Amerikës Latine dhe për ti shpërndarë në Evropë, kryesisht në Italisë e vende të tjera të Europës”, vijoi Dumani.
Sipas kreut të SPAK, qendra e aktivitetit të këtij grupi ishte qyteti i Durrësit, ndërsa sa i takon emrave, Dumani u shpreh se është politikë e SPAK që nuk jepen gjeneralitete të personave që arrestohen apo për ata që është ekzekutuar masa e sigurisë.
/a.f/