GAZË – Të paktën 45 të vrarë nga sulmet e fundit izraelite

TEL AVIV, 21 maj /ATSH-DPA/- Më shumë se 45 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës në sulmet e ripërtërira izraelite, sipas autoriteteve të drejtuara nga Hamasi në territorin palestinez.
“Janë raportuar sulme ajrore dhe viktima në Jabalia dhe Deir al-Balah, si dhe pranë Khan Younis në jug të territorit”, tha agjencia palestineze e lajmeve WAFA.
Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Ushtria izraelite nuk dha asnjë detaj rreth sulmit te fundit. IDF tha në X vetëm se kishte goditur mbi 115 objektiva terroriste në të gjithë Gazën nga toka, deti dhe ajri, gjatë ditës së djeshme.
Dhjetëra vdekje janë raportuar çdo ditë nga zona bregdetare – pasi Izraeli nisi një ofensivë të re të madhe në fund të javës së kaluar.
Trupat tokësore tani janë dislokuar në zonë.
Veprimet e Izraelit në rajon po përballen me kritika ndërkombëtare në rritje, përfshirë nga aleatët e ngushtë.
Britania e Madhe pezulloi dje bisedimet tregtare me Izraelin, sanksionoi disa kolonë të Bregut Perëndimor dhe thirri ambasadorin e Izraelit në BM.
Gjithashtu, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas tha dje se Bashkimi Evropian synonte të rishikonte marrëveshjen e bashkëpunimit me Izraelin në kuadër të situatës në Gazë.
Konflikti aktual filloi më 7 tetor 2023, kur milicia islamiste palestineze e Hamasit pushtoi Izraelin, duke vrarë 1,200 persona dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.
“Izraeli u përgjigj me një sulm masiv – i cili kishte shkaktuar vdekjen e më shumë se 53,000 personave në Gazë”, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi.
Shifrat nuk bëjnë dallim midis viktimave civile dhe atyre militante. //a.i/