Merr fund tensioni në Orosh, pas negociatave me familjarët i dorëzohen policisë 2 personat e armatosur

Merr fund rrethimi i gjatë dhe i tensionuar në fshatin Orosh. Pas më shumë se pesë orësh rezistencë brenda një banese të braktisur, sipas burimeve të rtsh.al, dy personat e armatosur, Juljan Cumraku dhe Arben Uka (i njohur si Hamza Uka), janë dorëzuar para forcave speciale RENEA.
Operacioni, i cili mbajti “të mbërthyer” banorët e zonës dhe strukturat e policisë, u mbyll me sukses dhe pa asnjë të lënduar, falë strategjisë së negociatave.
Si u bindën të dorëzoheshin?
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se çelësi i suksesit ishte përfshirja e familjarëve në negociata. Pasi tentativa fillestare me vëllain e njërit prej të dyshuarve nuk dha rezultat të menjëhershëm, policia angazhoi edhe motrën e tij.
Thirrjet e familjarëve, të kombinuara me presionin e rrethimit të hekurt nga snajperistët dhe forcat taktike, i bindën dy të ngujuarit të hidhnin armët dhe të dilnin nga banesa me duart lart.
Kontrolli antiterror
Edhe pse të dyshuarit janë tashmë në prangat e policisë, operacioni në terren vijon. Ekspertët xhenierë dhe ata të antiterrorit kanë hyrë në banesën e braktisur për të kryer një kontroll të imtësishëm.
Qëllimi është sekuestrimi i arsenalit të armëve që dyshohet se dispononin dy personat, si dhe gjetja e çdo prove tjetër materiale që mund të hedhë dritë mbi aktivitetin e tyre të dyshuar. Cumraku dhe Uka pritet të transportohen nën masa të rrepta sigurie drejt Tiranës për t’u marrë në pyetje.
/rtsh.al/