“Tema e Ditës” – Ekspertja Dasha Silović: Barazia gjinore dhe reformat demokratike janë themeli që i jep Shqipërisë stabilitet në rrugën drejt BE-së

Eurointegrimi i Shqipërisë dhe sfidat e barazisë sociale u rikthyen në qendër të diskutimit në emisionin “Tema e Ditës” me gazetarin Arbër Hitaj, ku e ftuar ishte Dasha Silović, eksperte ndërkombëtare e demokracisë dhe barazisë, përfaqësuese e CCE Gender Network.
Gjatë intervistës, Dasha Silović solli në vëmendje sfidat e agjendës së barazisë gjinore dhe demokracisë përballë valës së re të konservatorizmit dhe ekstremit të djathtë.
Ajo përgëzoi Shqipërinë për miratimin e ligjit për barazinë gjinore, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse. Silović theksoi se barazia gjinore është një agjendë ndërkombëtare e nisur pas Luftës së Dytë Botërore dhe se sot, më shumë se kurrë, kërkon mbrojtje dhe zbatim konkret në jetën e përditshme.
Arbër Hitaj: Si e kanë mbështetur Bashkimi Evropian dhe partnerët evropianë Shqipërinë në zbatimin e ligjit të ri për barazinë gjinore?
Dasha Silović: Së pari, le të themi që kjo është një nga themelet e Europës së re pas vitit 1945. Në fund të fundit, lëvizja progresive ishte ajo, lëvizja punëtore, lëvizja socialdemokrate, ishte ajo që filloi me agjendën e barazisë. Në thelb është agjenda e barazisë dhe gjithëpërfshirjes në shoqëritë demokratike. Dhe, siç e dini, njerëzit nuk e dinë që ne kemi shumë përvojë, kemi shumë mjete, kemi shumë legjislacion, por kemi edhe kundërvalë. Njerëzit gjithashtu nuk e dinë që e gjithë agjenda është një agjendë ndërkombëtare. Nuk është vetëm europiane ose e jona, as shqiptare, as suedeze. Në vitin 1945, kur po krijonim botën e re, ishte Eleanor Roosevelt që prezantoi agjendën e të drejtave të njeriut dhe të grave.
Kur filluam të ndërtonim Europën e re, ishte një agjendë e mirëqenies sociale. Ishte agjenda e barazisë dhe drejtësisë sociale. Në vitet ’70 ishte konferenca e Kombeve të Bashkuara. Ne tani po festojmë 50 vjetorin e Konferencës së Parë Ndërkombëtare të Grave të OKB-së. Të gjithë ishim aty. Pra, nuk është çështje “po” apo “jo”. Por është një çështje që sot po përjeton kundërvalë nga ata që duket se kërkojnë më shumë pushtet ose kanë frikë ta humbin pushtetin dhe nuk e kuptojnë agjendën. Dhe kjo është edhe faji ynë. Nuk mendoj se kemi shpjeguar plotësisht se çfarë do të thotë.
Duke e hapur këtë për njerëzit, ata thonë se ekziston Konventa e Stambollit për dhunën ndaj grave dhe pastaj thonë “ne nuk duam atë”. Por a do të donit që vajza juaj të kthehej në shtëpi e rrahur nga burri ose partneri i saj? Sigurisht që jo. A doni që vajza juaj të mos mund të realizojë ëndrrat e saj për t’u bërë një mjeke e mirë dhe të avancoje në profesionin e saj? Sigurisht që jo. A doni të nxirrni vajza të varfra nga varfëria dhe nga ambientet që nuk i duan? Sigurisht që jo. Pra, njerëzit vërtet nuk kuptojnë agjendën gjithëpërfshirëse. Dhe i përgëzoj Shqipërinë për këtë, duke e kaluar në parlament. Dhe kuptoj sa e vështirë është në këto rrethana ndërkombëtare ku shohim një agresivitet të madh të forcave konservatore dhe të djathtës ekstreme që përpiqen të na kthejnë vetëm në kuzhinë, në kishë ose në kopësht. Pra, mendoj se është një agjendë progresive. Duhet të jetë agjenda jonë kombëtare. Është një agjendë europiane. Dhe, në fund të fundit, mos harroni, ne jemi europianë. Gjithmonë është shumë e vështirë të thuash “Evropa dhe Ballkani Perëndimor”. Jo, populli i Ballkanit Perëndimor është europian. Dhe duhet të përpiqemi të jetojmë sipas këtij standardi dhe ta zbatojmë. Dhe nuk është e lehtë.
Arbër Hitaj: Ju keni përmendur të djathtën ekstreme dhe kështu me radhë. Pra kjo nuk është pjesë e agjendës LGBT. Ka të bëjë vetëm me gratë dhe të drejtën e tyre për barazi?
Dasha Silović: Po.
Arbër Hitaj: Çfarë është demokracia?
Dasha Silović: Demokracia, do ta them në dy fjalë, dhe kjo nuk është citat im. Demokracia është e drejta për të zgjedhur. Demokracia është e drejta për diversitet. Demokracia është e drejta për gjithëpërfshirje. Dhe mendoj se çfarë ka ndodhur është se të gjithë kemi të drejtë për jetën dhe zgjedhjet tona. Kjo agjendë e barazisë gjinore, e cila filloi në OKB në vitet 2000, shihej si çështje e barazisë burrë-grua.
Ne kemi kaluar në një kornizë më gjithëpërfshirëse për të parë zgjedhje të ndryshme të jetës dhe mundësi të ndryshme. Këtu hyn agjenda LGBTQ. Gratë përfaqësojnë 51% të popullsisë së përgjithshme ose 49% të popullsisë. Pra, është një agjendë e madhe pa përjashtuar mundësi të tjera. Dhe kjo është ajo që demokracia është… Duhet ta kuptojmë. Nuk do të thotë që duhet të ndryshojmë kulturën tonë, nuk do të thotë që duhet të ndryshojmë traditat tona. Por, në një kohë të avancimeve të mëdha teknologjike dhe arsimore, ku gratë e reja janë më të arsimuara se djemtë e rinj në shumë vende, duhet të kuptojmë që duhet të përshtatemi. Të gjithë flasin për AI dhe inteligjencën artificiale.
Çfarë do të thotë kjo për familjet tona, për marrëdhëniet tona dhe për shoqëritë tona? Po kalojmë një tranzicion të madh shoqëror, politik dhe më shumë ekonomik, i cili do të jetë i dhimbshëm. Një periudhë e dhimbshme, duke përfshirë çështje emocionale, personale, individuale, që shihet si kërcënuese për traditën dhe patriarkatin. Një nga pengesat më të mëdha është se ligji nuk mjafton. Mund të bëjmë ligjin, por si do ta zbatojmë? Si do t’i çojmë shoqëritë tona në këtë kornizë gjithëpërfshirëse?
A duhet të kemi frikë? Nuk duhet të kemi frikë. Edhe inteligjenca artificiale është një sfidë, por këto janë lëvizje shoqërore që ndodhin hap pas hapi. Për këtë arsye po luftojmë për drejtësi shoqërore. Shikoni demonstratat e studentëve në Serbi. Nëse e vizualizoni grupin e madh të të rinjve dhe qytetarëve, më shumë se 50% janë gra. Kishim gjashtë gra në grevë urie, tani kemi një. Gratë e reja ndonjëherë janë më progresive se djemtë, të cilët ndihen të kërcënuar në maskulinitetin e tyre, gjë që është e pasaktë.
Ne patëm një situatë tranzicioni. Nuk e di statistikat shqiptare, por pas vitit 1990, në shumë vende, pamë dëshpërimin e burrave të papunë dhe të larguar nga puna. Dallimi i mortalitetit mes burrave dhe grave ishte rreth 7–10 vjet. Burrat vdisnin nga dëshpërimi, nga humbja e rolit të furnizuesit, etj. Gratë po merrnin kontrollin. Në SHBA, në 2008, kur ndodhi kriza financiare, ndodhi diçka e ngjashme.
Burrat e rinj, për shkak të llojit të profesioneve që kishin, humbën punën. Partneret ose bashkëshortet e tyre vazhduan të punojnë. Pra, ata mbetën në New York. Shembull: djem të rinj merrnin fëmijët në punë, pinin kafe së bashku dhe planifikonin një biznes të ri. Shoqëritë tona janë të ndryshme dhe duhet ta pranojmë këtë për të dhënë mundësinë që secili të shfrytëzojë potencialin e tij/saj në treg.
Arbër Hitaj: Dua të ndryshoj pak temën. Ju erdhët nga Kroacia. Po. Ju jeni vendi i fundit që u bë pjesë e Bashkimit Evropian. Po, viti 2000. Zgjerimi i fundit i Bashkimit Evropian ishte me Kroacinë. Çfarë mësimesh mund të marrë Shqipëria nga ju?
Dasha Silović: Ka shumë mësime. Njëra është si të menaxhosh interesat e tua në një ambient politik të ndryshëm të Bashkimit Evropian, me vende të ndryshme, pozicione të ndryshme, etj. Dhe si, brenda këtij konteksti, të përfaqësosh interesat e tua në një mënyrë apo në tjetrën. Kjo ishte e para. E dyta është se ka shumë financime.
/rtsh.al/