Merz: Vazhdojmë mbështetjen e fortë ndaj Ukrainës

TIRANË, 16 maj/ATSH-Maela Marini/ Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz shprehu sot vendosmërinë për të vazhduar mbështetjen e fortë ndaj Ukrainës në aspektin politik, ekonomik, financiar dhe ushtarak.
Në fjalën e mbajtur në samitin e Komunitetit Politik në Tiranë, Merz u shpreh se në kontinent kemi një sfidë që nuk e kemi parë për disa dhjetëvjeçarë që është kjo lufta e vështirë në Ukrainë.
Sipas tij, “lufta në Ukrainë nuk është thjesht luftë kundër këtij vendi, sepse po të ishte vetëm kaq natyrisht do të ishte diçka kritike dhe e tmerrshme, por kjo është një gjë e cila është e drejtuar ndaj të gjithë rendit dhe të gjithë Europës”.
“E dini se ne vajtëm në Kiev për t’u takuar me Zelensky-n të shtunën, dhe e bëmë këtë jo vetëm ne si individë në emrin tonë, por edhe në emrin tuaj, për të treguar angazhimin tonë të fortë dhe vendosmërinë tonë për përkrahjen për Ukrainën”, tha ai.
Kancelari Merz theksoi se “këto përpjekje kanë treguar një sukses të vogël diplomatik”.
“Fakti që ata sot po takohen është ndoshta një sinjal shumë i vogël por gjithsesi i fortë.
Duhet të bëjmë akoma shumë me përpjekjet tona diplomatike, por dhe duhet të jemi shumë të qartë për mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën”, tha ai.
Duke u ndalur te aleanca me SHBA-në, Kancelari Merz theksoi se duhet të bëjmë çdo përpjekje të mundshme që SHBA t’i kemi në anën tonë.
“Nuk mund t’i zëvendësojmë kurrsesi amerikanët dhe atë që ata bëjnë për ne në Europë, për paqen tonë”, tha ai.
Duke folur për përballjen me emigracionin e paligjshëm, Merz u shpreh se “duhet të bashkërendojnë përpjekjet me të gjithë fqinjët dhe të bëjmë diçka rreptësisht së bashku”.
Po ashtu, Kancelari gjerman theksoi gatishmërinë për të shpenzuar më shumë për shpenzimet ushtarake dhe për mbrojtjen. /j.p/