E Diel, 1 Nëntor 2026

Meshë falënderimi për Kardinalin Simoni, Imzot Doda: U bë dëshmi e gjallë për të gjithë botën

TIRANË, 10 prill/ATSH/- Kardinali Ernest Simoni (Troshani) i mbijetuar nga burgjet e internimet komuniste, ka kremtuar 70-vjetorin e meshtarisë nëpërmjet një meshe falënderimi e cila u kryesua nga vetë ai në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë.

Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj përcolli një mesazh vlerësimi dhe mirënjohje për Kardinalin 97-vjeçar i cili u bë dëshmi e gjallë për të gjithë botën.

“Nuk jemi këtu thjeshtë për të përkujtuar një përvjetor por për të nderuar një dëshmi të gjallë midis nesh, të besnikërisë së tij të krishterë dhe meshtarake në 70 vjetorin e shugurimit të tij meshtarak të Kardinal Ernest Simonit. 70 vite meshtari nuk janë vetëm një udhëtim kohe, por ato përfaqësojnë një jetë të jetuar në përkushtim ku Hiri i Hyjit ka vepruar edhe në rrethanat më të vështira. Është PO-ja e shqiptuar në vitin e largët 1956 të cilës i qëndroi fort përballë vuajtjeve, izolimit, kërcënimit dhe dënimit me vdekje”.

Imzot Dodaj duke iu drejtuar Kardinalit Simoni tha se “udhëtimi juaj meshtarak është e ndërthurur ngushtë me historinë e Kishës tonë katolike në Shqipëri dhe të gjithë shqiptarë në mbarë botën. Në kohën e diktaturës ateiste kur feja u persekutua dhe shumë shërbëtorë të Kishës u përndoqën, u vranë, u ekzekutuan, ju mbetët besnik në thirrjen tuaj”.

“Përballë padrejtësia përgjigja juaj ka qenë gjithmonë falja dhe qëndrueshmëria në dashurinë baritorë. Gjatë këtyre 35 viteve të lirisë fetare keni ndihmuar që martirizimi dhe qëndresa e Kishës Katolike shqiptare të njihej botërisht në çdo skaj të botës duke i dhënë kësaj historie të vendit tonë, vendin që i përkiste në ndërgjegjen e mbarë kishës universale”.

Në këtë meshë, Kardinali Ernest Simoni bëri thirrje për paqe mes vendeve që janë në luftë. “Parimi i parë kryesor i çdo njeriu është se si të bëjë çdo ditë që t’i pëlqejmë Krishtit, se si me dasht të vorfnin dhe se si me zbatu ligjin e Zotit”.

Sipas tij, “urdhinimi më i parë i dashnisë Hyjnore është të duash Zotin, të afërmit dhe vëllain tënd si vetveten”.

Në këtë situata trazirash, Kardinali Simoni apeloi që t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të ndihmojmë të varfërit dhe të shtypurit.

Pas meshës së falënderimit u mbajt edhe një një koncert të organizuar në nder të Kardinalit Simoni me rastin e 70-vjetorit të shugurimit meshtarak.

Kardinali shqiptar, Ernest Simoni ka zhvilluar dy ditë më parë një vizitë edhe në Prishtinë ku për ndër të tij u mbaj një ceremoni e veçantë dhe koncert solemnt në Katedralen e Shën Nënë Terezës.

Ipeshkvi Dodë Gjergji u ndal tek jeta dhe dëshmia e Kardinalit, si dëshmitar i pathyeshëm i një regjimi të egër komunist në Shqipëri. Mbi supet e këtij njeriu plakë, të kërrusur e të pathyeshëm, u thye regjimi i patenzonë – tha ipeshkvi – dhe si i tillë dëshmon ngadhënjimin e dashurisë dhe të faljes përballë kësaj të keqeje.

Kjo ishte vizita e dytë e Kardinalit në Prishtinë pasi vizita e tij e parë ishte në vitin 2017, si i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut, për shugurimin e Katedrale.

Gjatë meshës së falënderimit në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë, me rastin e 70-vjetorit të shugurimit meshtarak të Kardinalit Ernest Simoni. Fotoreporter, Florian Abazaj

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›