E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: Bëj fushatë nga burgu! PL prezanton kandidatët, presidenti i saj kërkon votën në Tiranë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u bëri apel mbështetësve të tij që në këto 35 ditë që na ndajnë nga zgjedhjet të bëjnë gjithçka për fitoren e opozitës. Gjatë prezantimit të kandidatëve të Partisë së Lirisë, Meta, me një mesazh nga burgu, tregoi se si po e zhvillon ai fushatën në kushtet e izolimit.

“Unë çdo ditë shkruaj dhe dërgoj 50 deri në 100 letra për shokët e mi, që nga shkolla fillore “Kongresi i Lushnjës”, 8–vjeçarja “Fan Noli”, gjimnazi “Sami Frashëri”, Fakulteti i Ekonomisë, shokëve që nga koha e sportit, për të kërkuar mbështetjen e tyre jo vetëm për Nr. 1, “PD–ASHM, por edhe për Ilir Metaj si deputet i Tiranës”, tha ish-Presidenti.

Meta, i cili ndodhet në burg me akuzën e korrupsionit prej muajit tetor, u bëri apel anëtarëve të partisë që drejton t’i besojnë votën.

“A nuk isha unë si President i Republikës që u paraqita vetë në Gjykatën Kushtetuese, për të parandaluar shkatërrimin barbar të teatrit? Dhe a nuk ishte diktatori me atlete ai që urdhëroi në mënyrë të paligjshme dhe fashiste shkatërrimin e Teatrit me artistët brenda, në mes të natës? Vota për ILIR METAJ, deputet i Qarkut të Tiranës, është një votë e pastër kundër diktaturës”, shtoi ai.

Partia e Lirisë garon në një listë të përbashkët me Partinë Demokratike dhe aleatët e tjerë, ajo ka 4 kandidatë në vende të sigurta në listë, ndërkohë që kreu i saj, Ilir Meta, garon në Tiranë në listën e hapur./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›