Meta kunja Ramës në sallën e gjyqit: Nuk kam lëvizur me charter dhe as kam pirë verë 33 mijë euro

GJKKO përmbylli seancën paraprake për Metën, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurit e tjerë dhe të mërkurën e ardhshme do të vendosë nëse e kalon ose jo për gjykim dosjen penale ndaj tyre.
Gjatë kësaj seanca ish-presidenti ka kundërshtuar akuzat ndërsa nuk ka hezituar të thumbojë dhe kryeministrin Edi Rama.
“Kam qenë shtetar dhe asnjëherë s’kam abuzuar me detyrën. Kam bërë jetë të të thjeshtë dhe jo luksi. Nuk kam lëvizur me charter dhe as kam pirë verë 33 mijë euro”, tha ndër tjera ish presidenti.
Meta ka lexuar para gjykatës një intervistë të dhënë nga ish-ambasadori Donald Lu, ku sipas tij Meta dilte si promotor i reformës në drejtësi.
Ndaj Metës rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Kujtojmë se sot, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga Ilir Meta lidhur me kërkesën për pezullimin e afateve të paraburgimit dhe shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Kërkesa e Metës nuk është pranuar, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme të gjykatave më të ulëta për vijimin e masës së sigurisë.
Ilir Meta kishte kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë për pezullimin e afateve të paraburgimit, duke argumentuar se duhej rishikuar masa e sigurisë e vendosur ndaj tij.