Meta prezanton programin e PL-së: 21 masa konkrete për të ndalur shpopullimin

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka prezantuar programin e forcës politike që ai drejton duke shpalosur 21 masa konkrete duke nisur në masat ndaj shpopullimit të vendit.
Në një konferencë për mediat, Meta vuri në dukje se partia e Lirisë ka si objektiv Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus.
Sipas Metës kjo do të “mundësohet nëpërmjet vënies sa më parë në jetë të 5 Prioriteteve tona të qarta, që mes shumë masave konkrete ekonomike, financiare, sociale dhe kulturore të rimëkëmbjes së kombit, kanë prioritet absolut, fuqizimin e familjes shqiptare dhe veçanërisht mbështetjes me programe të posaçme të nënave të reja dhe të familjeve të reja”.
“Për këtë objektivi ynë është ta rrisim nivelin e të ardhurave në 41-42%, ashtu siç është në disa prej vendeve të rajonit tonë, në Bosnjë, në Malin e Zi dhe në Serbi.
Pra 41-42% në raport me PBB. Ndërkohë që “Rilindja” për shkak të korrupsionit skizofrenik, e ka nivelin e mbledhjes së të ardhurave në masën 27.8%, apo dhe më të ulët se 20 vite më parë.
Pikërisht kjo diferencë 14% që është lehtësisht e realizueshme, që ne do të mbledhin, do të thotë sipas PBB. të Shqipërisë, 3.2 miliardë euro në vit, më shumë që do të hyjnë, që do të arkëtohen në buxhetin e shtetit, që sot vidhen pa u futur fare në buxhetin e shtetit, ku bëhen vjedhjet e tjera me inceneratorët, e me kilometri 6 herë më i shtrenjtë se në Serbi, dhe se në Europë”, u shpreh Meta.
Presidenti i Partisë së Lirisë tha gjithashtu se nëse forca e tij politike vjen në pushtet do t’i shpallë luftë pa kompromis ndaj informalitetit.
Ai shpjegoi se nëpërmjet mbështetjes direkte për nënat e reja, dhe për familjet e reja “do të mundësojmë jo vetëm frenimin e shpopullimit, dhe ndalimin e kësaj pikjatë të lindshmërisë në Shqipëri, por njëkohësisht dhe objektivin tonë kryesor për Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus”
“E natyrisht të gjitha këto tema dhe çështje që unë sapo ngrita sot, pikërisht i shqetësuar dhe nga raporti më i fundit i Kombeve të Bashkuara për rënien pikatë të lindshmërisë në Shqipëri, ne do të kemi rastin nga nesër dhe gjithë javës që vjen, ti diskutojmë me 300 të rinj dhe të reja të mrekullueshëm, në kampin veror të Jalës. Ku besojmë, se ata do të na japin dhe ide të tjera konkrete për të pasuruar programin tonë, dhe 5 Prioritet tona për 4 milion shqiptar plus”, tha më tej Meta.
/rtsh.al/