Nis të hënën Konferenca treditore e Ambasadorëve, Hasani: Diskutojmë për sfidat e diplomacisë

Të hënën (26 gusht) nis Konferenca treditore e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, ndërsa Ministri i Jashtëm, Igli Hasani bën me dije se do të diskutohet mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në BE.
Në një postim në Facebook, Hasani shkruan se pjesë e diskutimeve në këtë konferencë do të jenë edhe zhvillimet rajonale të sigurisë, diplomacisë ekonomike, kulturore dhe turizmit.
“Me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë 🇦🇱 mblidhemi nesër në Tiranë, në një diskutim tre ditor, mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin. Bashkohuni me ne, për të mësuar më shumë rreth angazhimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare!”, shkruan Hasani.
Ditën e nesërme, Ministri Hasani do të presë në një takim dypalësh Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë. Pas takimit, dy ministrat do të dalin në një deklaratë të përbashkët për mediat.
Konferenca treditore do të mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe pritet të nisë në orën 9.30. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore, do të jenë të ftuar edhe personalitete shqiptarë dhe të huaj.
Sipas Ministrisë së Jashtme, kjo Konferencë është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të Shqipërisë në botë.
Agjenda e Konferencës, 26 gusht
09:30 – Hapja e Konferencës së Ambasadorëve
SH.T.Z. Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë
SH.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
10:15 – 10:30 Pushim kafe.
10:30 – 11:15 Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE
Folës kryesorë
SH. T. Z. Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
SH. S. Znj. Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë
/rtsh.al/