E Martë, 3 Nëntor 2026

‘Metamorfoza’, urdhërarreste për dy ish-zyrtarë të lartë të policisë dhe ish-efektivin e RENEA-s

SPAK-u ka urdhëruar arrestimin e dy ish-funksionarëve të lartë të policisë, si dhe të një ish-efektivi të RENEA-s. Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC.

Tre efektivët janë Erigert Mitri, ish-drejtor i Policisë së Lezhës (aktualisht specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit), Klodian Jashari, ish-shef i krimeve në Delvinë, si dhe Altin Morina, ish-efektiv i forcave speciale RENEA.

Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s u arrestua në mars të vitit 2023. Në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro. Morina, me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u arrestua në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me automjet luksoz. Shuma e madhe u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plastmasi.

Një muaj më vonë ai u lirua nga burgu, pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se eurot nuk ishin të krijuara nga aktivitet kriminal.

Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nëpërmjet një postimi, pa iu referuar drejtpërdrejt urdhërarresteve të ish zyrtarëve të lartë në fjalë, bëri të ditur se Policia e Shtetit është e vendosur për “krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet”.

“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligj-zbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, shkruan Balla. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›