Metani në Prishtinë: Forcim i bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e drejtësisë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i shoqëruar nga një delegacion i trupës inspektuese të ILD-së, zhvilloi një vizitë pune në Prishtinë, ku u takua me drejtues të institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe përfaqësues të trupës akademike të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë takimit me kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, dhe gjyqtarin e Gjykatës Supreme, Qerim Ademaj, Inspektori i Lartë i Drejtësisë prezantoi rolin dhe funksionet e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në veçanti në trajtimin e ankesave, zhvillimin e hetimeve disiplinore dhe kryerjen e inspektimeve ndaj magjistratëve.
Kryetari i Gjykatës Supreme informoi Metanin mbi funksionet dhe kompetencat e Gjykatës Supreme të Kosovës, përfshirë rolin e saj në shqyrtimin e ankesave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj vendimeve të komisioneve disiplinore të këshillave përkatës. Të dy palët vlerësuan rëndësinë e ndërtimit dhe thellimit të marrëdhënieve profesionale ndërinstitucionale, si një kontribut i drejtpërdrejtë në promovimin e standardeve etike dhe profesionale në sistemet e drejtësisë të dy vendeve.
Në vijim të vizitës, delegacioni i ILD-së zhvilloi një takim pune në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku u prit nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, zëvendëskryesuesja Arjeta Sadiku, kryetarja e Komisionit të Performancës së Gjyqtarëve, Teuta Brahimi, si dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkëlzen Maliqi.
Metani falënderoi Zogajn për pjesëmarrjen dhe angazhimin në Konferencën Rajonale të Shërbimeve të Inspektimit, të mbajtur në Tiranë më 25–26 shtator 2025, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira profesionale dhe përvojave institucionale.
Nga ana e tij, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës e njohu Inspektorin e Lartë të Drejtësisë me zhvillimet brenda sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës, proceset reformuese, forcimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe integritetit, si dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion. Palët ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në të ardhmen.
Një ndalesë e veçantë e vizitës ishte Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit “Hasan Prishtina”, me të cilin ILD ka një marrëveshje bashkëpunimi që prej tetorit 2022. Në takimin me dekanin Avni Puka dhe trupën akademike, u vlerësua si mjaft produktiv bashkëpunimi i deritanishëm, veçanërisht vizitat studimore të studentëve të Fakultetit Juridik në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjithashtu, u diskutuan ide për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në funksion të përgatitjes së brezave të rinj dhe konsolidimit të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
/rtsh.al/