Milani zgjedh Igli Taren si drejtor sportiv

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Milani ka zgjedhur Igli Taren si drejtor sportiv.
Sipas asaj që raporton Corriere della Sera, Igli Tare do të jetë drejtori i ri sportiv i kuqezinjve.
Zgjedhja e drejtorit të ri sportiv të Milanit zgjati disa muaj, pasi drejtuesit kishin disa emra në listë, mes të cilëve Andrea Berta, Fabio Paratici, Tony D’Amico etj.
Ish-sulmuesi i Shqipërisë, Igli Tare arriti të mposhtë konkurrencën, në një kohë kur ishte edhe i preferuari i Zlatan Ibrahimoviç.
Media italiane shkruan se, firma nuk është hedhur ende, por akordi mes palëve është arritur me një marrëveshje dyvjeçare me opsionin për t’u zgjatur edhe një vit tjetër.
Igli Tare do të ketë për detyrë të bëjë konkurruese një skuadër që këtë vit zhgënjeu në të gjitha kompeticionet.
/r.e/