Ministrat e Financave të G7-s, Masa të përbashkëta për të rritur presionin ndaj Rusisë

Ministrat e Financave të vendeve të G7-s ranë dakord të ndërmarrin masa të përbashkëta për të rritur presionin ekonomik dhe financiar ndaj Rusisë, me qëllim që ta detyrojnë atë të ndalojë agresionin e saj kundër Ukrainës.
Vendimi u mor gjatë një takimi virtual të mbajtur më 1 tetor 2025, siç u bë e ditur përmes një komunikate të përbashkët të publikuar nga grupi i shteteve më të industrializuara të botës.
“Ne, Ministrat e Financave të G7, u takuam virtualisht më 1 tetor 2025 dhe ramë dakord të ndërmarrim hapa të përbashkët për të rritur presionin ndaj Rusisë për të ndalur luftën e saj të vazhdueshme brutale kundër Ukrainës dhe për të mbështetur Ukrainën në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të mbrojtur veten,” thuhet në komunikatë.
Deklarata thekson se veprimet e vazhdueshme përshkallëzuese të Rusisë, përfshirë shkeljet e hapësirës ajrore të NATO-s, sulmet në rritje ndaj civilëve dhe dëmtimet e ndërtesave qeveritare dhe diplomatike në Ukrainë, janë të papranueshme dhe minojnë përpjekjet për të ndërmjetësuar paqen.
Incidentet e fundit, si rrëzimi i tre dronëve rusë në Poloni më 10 shtator, fluturimi i një droni rus mbi Rumaninë për gati një orë më 13 shtator dhe shkelja e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë MiG-31 më 19 shtator, kanë rritur shqetësimet për kërcënimet hibride ruse.
“Veprimet tona deri më tani, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për programin e FMN-së dhe Huatë për Përshpejtimin e të Ardhurave të Jashtëzakonshme (ERA), kanë mbështetur përpjekjet e Ukrainës për të përballuar agresionin e Rusisë, dhe sanksionet tona kanë ulur të ardhurat e Rusisë. Ne jemi të bashkuar për nevojën për të vepruar së bashku dhe besojmë se tani është koha për një përshkallëzim të koordinuar të masave për të forcuar rezistencën e Ukrainës dhe për të dëmtuar në mënyrë kritike aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës,” vijon dokumenti.
G7 po zhvillon një gamë të gjerë opsionesh për të adresuar nevojat financiare të Ukrainës dhe për të siguruar që Rusia të mos mund të vazhdojë të financojë luftën.
“Ndër të tjera, këto masa përfshijnë përdorimin, në një mënyrë të koordinuar, të vlerës së plotë të aseteve ruse të imobilizuara në juridiksionet tona për të ndalur luftën dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Veprimet tona do të mbeten në përputhje me kuadret tona ligjore respektive,” theksuan ministrat.
Kjo iniciativë është në linjë me propozimin e Kancelarit gjerman Friedrich Merz për një hua prej 140 miliardë eurosh të mbështetur nga asetet e ngrira ruse, si dhe me mbështetjen e Kryeministres daneze Mette Frederiksen për një propozim të ngjashëm të Komisionit Evropian. G7 ra dakord gjithashtu për të maksimizuar presionin ndaj eksporteve të naftës ruse, një burim kryesor i të ardhurave të Moskës.
Ne do të targetojmë ata që vazhdojnë të rrisin blerjen e naftës ruse që nga pushtimi i Ukrainës dhe ata që lehtësojnë shmangien e sanksioneve,” thuhet në komunikatë.
/rtsh.al/