Ministri Gonxhja takohet me Kryepiskopin Joan: Rikthehen pas 14 vitesh ikonat e vjedhura të Labovës së Kryqit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti sot Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanin, në një takim me rëndësi të veçantë kulturore dhe shpirtërore, ku u konfirmua rikthimi i ikonave të vjedhura të kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, pas 14 vitesh mungesë.
Gonxhja theksoi se falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional mes Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, u bë e mundur identifikimi dhe shpëtimi nga trafikimi i 10 ikonave me vlera të veçanta kulturore dhe historike, të cilat tashmë i kthehen Kishës Ortodokse aty ku përkasin.
Gjatë takimit, ministri Gonxhja nënvizoi se ky rikthim përfaqëson jo vetëm një fitore ligjore, por edhe një akt drejtësie historike dhe shpirtërore. Ai nënvizoi rëndësinë jetike të regjistrimit të pasurive kulturore, si mjeti më i sigurt për identifikimin dhe mbrojtjen e tyre në rastet e trafikimit apo humbjes.
Ministri garantoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, Kishën Ortodokse dhe komunitetet e tjera fetare do të vijojë pa ndërprerje, me synim gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të humbura, si dhe forcimin e angazhimit për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Nga ana e tij, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, shprehu mirënjohjen për rikthimin e ikonave, duke e cilësuar këtë akt si shumë të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore dhe identitetin kombëtar. Ai falënderoi të gjitha institucionet dhe individët e përfshirë në gjetjen dhe rikthimin e 10 ikonave, duke theksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është pjesë e identitetit europian të vendit.
“Jam i gëzuar që ndodhem këtu, për rikthimin e një pjese shumë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Dua të falenderoj të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë, dhe sidomos jam shumë mirënjohës ndaj Ministrit, i cili pati angazhimin, dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse. Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pashaportat tona edhe për identitetin tonë europian, e të kulturës europiane. Besoj se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej për të mirën e të gjithëve. I falenderoj të gjithë edhe njëherë ata persona të cilët i gjetën dhe i kthyen përsëri në vendin e tyre këto ikona kaq shumë të rëndësishme. Faleminderit”, tha ai.
Gjatë bisedës, palët u ndalën edhe në projektet konkrete të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorive Rajonale, lidhur me restaurimin dhe ruajtjen e kishave dhe manastireve monumente kulture, si dhe në forcimin e bashkëpunimit për mbrojtjen më efikase të trashëgimisë fetare.
Në përfundim, ministri Gonxhja dhe Kryepiskopi Joan ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me të gjitha komunitetet fetare, si kujdestarë fizikë dhe shpirtërorë të objekteve fetare monumente kulture, në funksion të ruajtjes së trashëgimisë kombëtare.
/rtsh.al/