E Martë, 3 Nëntor 2026

Ministri Hasani: Projekt- rezoluta kundër korrupsionit i shërben objektivit që Shqipëria në 2030-ën të jetë në BE

Projekt- rezoluta kundër korrupsionit, sipas ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i shërben objektivit: Shqipëria e 2030-ës anëtare me të drejta të plota në BE.

Deklarata e shefit të diplomacisë shqiptare u bë gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare në Kuvend, ku po diskutohet projekt-rezoluta e shumicës parlamentare “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.

“Projekt-rezoluta, së pari, shpreh atë proces dinamik ku krejt shoqëria shqiptare tanimë është përfshirë për realizimin e objektivave madhorë me një rezonancë që lidhet, jo thjesht me realitetin që përjetojmë, por sidomos me një brez të projektuar drejt së ardhmes, një e ardhme që ka zënë fill më parë, por konturohet sot dhe këtu. Së dyti, është një kumt që kjo shumicë dhe klasa politike e përfaqësuar në këtë Kuvend, i përcjell qartazi dhe pa kurrfarë ambiguiteti BE-së, vendeve të rajonit me të cilët ndajmë histori dhe fate që përkojnë me një të ardhme të përbashkët, si dhe bashkësisë së vendeve demokratike, kryeherazi, aleatit tonë strategjik, SHBA-së, por dhe një mori organizatash e organizmash ndërkombëtarë ku Shqipëria është palë”., nënvizoi Hasani.

Sipas tij, nga ky këndvështrim, hapi që po ndërmerret, mund të konsiderohet akti përmbyllës i një faze të gjatë tranzicioni dhe akti përurues i një shteti të ri modern shqiptar në shekullin e 21-të, “një akt që na rendit në mënyrë të pakthyeshme krah bashkësisë së demokracive liberale perëndimore, si kurrë ndonjëherë tjetër në histori”.

“Siç përmendet edhe në hyrje të pr/rezolutës, si udhërrëfyes shërbejnë rekomandimet e Raportit të BE të vitit 2023 për vendin tonë, raporti screening i KE-së, si dhe deklaratat të Samitit për Demokraci të SHBA-së. Ndërkohë që barra e vënies në jetë dhe e zbatimit i ngarkohet Kuvendit të Shqipërisë, përmes krijimit të një Komisioni të Posaçëm parlamentar”, theksoi Hasani.

Sipas tij, si organi më i lartë ligjvënës dhe njëkohësisht si zëdhënës të popullit shqiptar, pavarësisht përkatësive politike, Kuvendi dhe më konkretisht Komisioni i Posaçëm, do të kontribuojnë në jetësimin e reformave themelore në të mirë të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe anti korrupsionit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›