Ministri Hoxha pret kreun e Inteligjencës së Përgjithshme të Arabisë Saudite

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti të enjten Shkëlqesinë e Tij, Khalid bin Ali bin Abdullah Al Humaidan, President i Inteligjencës së Përgjithshme, në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ministri Hoxha shprehu falënderimet për bashkëpunimin, të cilin e vlerësoi si të shkëlqyer, të ndërtuar mes dy vendeve.
Ai gjithashtu theksoi vullnetin dhe përkushtimin për të punuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, sidomos në fushën e sigurisë, ku interesi është i përbashkët.
“Palët dakordësuan për zhvillimin më tej të kapaciteteve dhe mundësive në shkëmbimin e eksperiencave, shkëmbimin e informacionit, si dhe vendosjen e pikave të kontaktit mes dy palëve. Ata diskutuan gjithashtu mbi bashkëpunimin në fushën e teknologjisë për një policim më të mirë, për qytetarët e dy vendeve.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/rtsh.al/