E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Malaj takim me Bankën Botërore: Po hartojmë portofolin për projektet më të rëndësishme në periudhën afatmesme

Ministri Petrit Malaj njoftoi sot se ka zhvilluar një takim të rëndësishëm pune me një delegacion të nivelit të lartë, të kryesuar nga Xiaoqing Yu, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor pranë Bankës Botërore.

Në diskutim u përfshinë edhe përfaqësues nga MIGA (Agjencia e Garantimit të Investimeve Shumëpalëshe) dhe IFC (Korporata Ndërkombëtare Financiare), dy krahët e Grupit të Bankës Botërore që fokusohen te sektori privat dhe garancitë e investimeve.

Sipas Ministrit Malaj, takimi kishte në fokus përcaktimin e prioriteteve financiare për periudhën afatmesme.

“Jemi duke hartuar portofolin e ri të mbështetjes për financimin e projekteve më të rëndësishme në periudhën afatmesme,” u shpreh Malaj përmes një postimi në rrjetet sociale.

Përveç thithjes së fondeve të reja, një vëmendje e veçantë i është kushtuar ecurisë së investimeve që janë aktualisht në proces. Ministri theksoi se institucioni që ai drejton po ndjek me prioritet zbatimin e tyre për të shmangur vonesat dhe për të rritur efikasitetin.

“Ministria e Financave nga ana e saj po monitoron me kujdes ecurinë e zbatimit të projekteve, që janë në vijim, për të garantuar arritjen e objektivave. Investimet strategjike dhe performanca e projekteve mbeten kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit,” përfundon postimi i ministrit Malaj.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Ekonomia

    Të gjitha ›