E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Salla: Fermerët e dëmtuar nga përmbytjet do të dëmshpërblehen

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, në kuadër të dëgjesave publike me fermerët, ka zhvilluar një takim në Pogradec, ku ka garantuar se fermerët e prekur nga përmbytjet nuk do të mbeten pa mbështetje.

Ai bëri të ditur se “ekipet e Ministrisë së Bujqësisë, në bashkëpunim me bashkitë, ndodhen në terren për verifikimin dhe evidentimin e dëmeve, me qëllim adresimin e tyre pranë qeverisë shqiptare”.

Ministri i Bujqësisë bëri me dije se aktualisht është në zbatim skema kombëtare e mbështetjes për fermerët, me një fond prej 52 milionë eurosh, ndërsa dëgjesat publike synojnë të përafrojnë politikat bujqësore me nevojat reale të fermerëve dhe legjislacionin e Bashkimit Europian.

Në përfundim, Salla theksoi se takimet me fermerët do të vijojnë, duke garantuar se Ministria e Bujqësisë do të jetë pranë tyre për t’i dëgjuar, informuar dhe mbështetur në këtë situatë.

Gazetare: E. Xhindole

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›