Gjyqi për Gërdecin, kërkon përjashtimin e gjyqtares Gjoka për papajtueshmëri ligjore

Në gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me argumentin se ka papajtueshmëri ligjore që ajo të shqyrtojë si seancën paraprake ashtu edhe themelin e çështjes. Avokati i tij, Henrik Ligori, iu referua një vendimi të Gjykatës së Lartë të korrikut 2025 për të mbështetur kërkesën.
Vetë gjyqtarja Gjoka bëri me dije se kishte kërkuar dorëheqjen nga çështja që në nëntor 2025 për të njëjtën arsye, por kërkesa e saj ishte rrëzuar nga GJKKO. Ndërkohë, prokurori i posaçëm Arben Kraja deklaroi se nuk ka qëndrim për kërkesën.
Procesi, i nisur në prill 2023, do të vijojë me gjyqtaren Gjoka deri në shqyrtimin e kërkesës për përjashtim nga një gjyqtar tjetër. Pas seancës, Mediu deklaroi para mediave se procesi po zhvillohet mbi aludime dhe jo prova konkrete:
“Ato që Prokuroria sjell si prova janë disa akte ku nuk përmendet askund ministri, nuk kanë asnjë lidhje me ministrin. Unë nuk gjykohem për shpërthimin në Gërdec. Këtë e ka thënë gjykata dhe prokuroria që në fillim të procesit, unë gjykohem për shpërdorim detyre. Në asnjë nga këto prova të sjella nga prokuroria nuk ka asnjë akt ligjor kushtetues apo vendim të Këshillit të Ministrave që ministri mund të ketë shkelur dhe të përbëjë shpërdorim detyre.”
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, ku nga shpërthimi i 15 marsit 2008 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Çështja u rihap pas 12 vitesh me kërkesë të familjes Durda.
/rtsh.al/