Rruga e Moglicës, alternativa më e mirë drejt Tiranës pas bllokimit të aksit në Librazhd

Pas bllokimit të aksit në Librazhd, kalimi nga Rruga e Moglicës është kthyer në alternativën më të mirë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Tiranës. Ky segment po përdoret aktualisht si rruga kryesore devijuese, duke mundësuar vijimin e lëvizjes së automjeteve dhe shmangien e vonesave të gjata. Edhe pse bëhet fjalë për një aks me terren malor, qarkullimi vijon normalisht dhe mbetet zgjidhja më funksionale për momentin.
“Dua nja 6 orë të vete në Tiranë, nuk kemi zgjidhje tjetër.”
“Për momentin kjo është zgjedhja, është shumë e vështirë, rrugët janë të ngushta dhe më shumë kthesa”, thanë disa nga drejtuesit.
Pavarësisht sfidave, ky aks mbetet një arterie e rëndësishme që afron zonën e Moglicës me Tiranën dhe pjesën tjetër të vendit.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat me kthesa dhe në rast të kushteve të pafavorshme atmosferike. Deri në normalizimin e situatës në aksin e Librazhdit, Rruga e Moglicës mbetet alternativa më e sigurt dhe më efikase për lidhjen me kryeqytetin.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/